Magazina e kthyer në “fermë” k*nabisi në Malësinë e Madhe/ Arrestohet 52-vjeçari i shumëkërkuar

Një 52-vjeçar është arrestuar në Malësi e Madhe në kuadër të një operacioni policor kundër kultivimit të lëndëve narkotike.

Bëhet fjalë për shtetasin B. R., banues në fshatin Gruemirë Çezmë, i cili ishte shpallur në kërkim.

Ndaj tij, Gjykata e Shkodër kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike.

Sipas hetimeve, ai dyshohet se kishte kultivuar një sasi të konsiderueshme filizash dhe farash kanabisi brenda një magazine në pronësi të tij, duke përdorur platforma polistiroli.

Këto bimë u zbuluan dhe u asgjësuan nga policia në fund të muajit mars, ndërsa vijimi i operacionit çoi në kapjen e tij.

Materialet i janë dërguar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vazhdojnë.