“SHPËRDORIM DETYRE” SI KRYEBASHKIAK/ SPAK kërkon pushimin e hetimeve për 6 episode ndaj Elvis Roshit
SPAK kërkon pushimin e hetimeve për 6 episode të shpërdorimit të detyrës ndaj ish-kryebashkiakut Elvis Roshi për shkak të parashkrimit, por hetimet vijojnë për 5 raste të tjera. Çështja lidhet me tendera të Bashkisë së Kavajës që dyshohet se shkaktuan dëm ekonomik.
Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit i kërkoi gjykatës pushimin e hetimeve për 6 episode të shpërdorimit të detyrës në dosjen hetimore për ish-kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi.
SPAK argumentoi kërkesën me parashkrimin e veprës penale, por për ish-kryebashkiakun kjo nuk do të shmangë përballjen me drejtësinë, pasi hetimi ndaj tij do të vijojë për 5 episode të tjera ku ai dyshohet për shpërdorim detyre gjatë kohës kur drejtonte Bashkinë e Kavajës.
Elvis Roshi fillimisht u hetua për shkelje të barazisë në tendera, ndërsa më pas iu komunikua akuza e shpërdorimit të detyrës.
Hetimi nisi mbi bazën e një dosjeje të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pas një auditi të kryer në Bashkinë e Kavajës për periudhën janar 2013 – dhjetor 2014.
Roshi u kallëzua në Prokurorinë e Kavajës nga KLSH në shtator të vitit 2015, ku së bashku me 10 zyrtarë të tjerë dyshoheshin se kishin shkaktuar një dëm ekonomik prej 33 milionë lekësh me tenderat e rikonstruksionit të qendrës së qytetit dhe ndërtimin e disa rrugëve.
Në listën e shkeljeve u renditën 12 tendera, të zhvilluar kryesisht për rikonstruksionin e qendrës së qytetit, të disa rrugëve lidhëse dhe mbjelljen e pemëve dekorative.
Çështja aktualisht është në fazën e shqyrtimit paraprak dhe seanca e radhës është caktuar për datën 28 prill.
