Tiranë/ Shoferi që vodhi biznesin dhe gruaja që mori mijëra paundë, policia godet dy raste vjedhjeje
Dy operacione policore janë zhvilluar brenda 24 orëve në Tiranë, duke çuar në arrestimin e dy personave të dyshuar për vjedhje.
Policia e Komisariatit Nr. 2 ka ndërhyrë pas denoncimeve dhe ka arritur të identifikojë dhe ndalojë autorët në një kohë të shpejtë.
Në operacionin e quajtur “The driver”, është arrestuar një 28-vjeçar, i cili dyshohet se për rreth 6 muaj ka përvetësuar rreth 3 milionë lekë.
Ai punonte si shofer dhe dyshohet se ka shitur për llogari të tij pajisje të biznesit ku ishte i punësuar, kryesisht për përpunimin dhe konsumimin e kafesë. Gjatë veprimeve është sekuestruar edhe një automjet që përdorej për transportin e këtyre pajisjeve.
Në një tjetër rast, në operacionin “Kaseta”, është arrestuar një grua e dyshuar për vjedhjen e 40 mijë paundëve. Sipas hetimeve, paratë ishin lënë përkohësisht në një kasetë depozitimi në një market nga një klient që punonte në një pikë këmbimi valutor.
Shuma e parave u gjet në ambientin ku punonte e dyshuara dhe u sekuestrua.
Të dyja rastet janë dërguar në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat.

