Fotovoltaikët dhe vetëprodhuesit marrin 'pushtetin'/ Karakaçi prezanton ligjin e ri për modernizimin e tregut të energjisë elektrike
Në kuadër të reformës së sektorit të energjisë, po hartohet një ligj i ri që synon të modernizojë tregun e energjisë elektrike në Shqipëri.
Ligji synon të largojë modelin e centralizuar, ku shteti vendoste kryesisht për prodhuesit dhe blerjen e energjisë, duke e zëvendësuar me një treg më të hapur dhe konkurrues.
Ndryshimet do të përfshijnë integrimin e burimeve të reja të energjisë, si fotovoltaiket, dhe rritjen e rolit të vetëprodhuesve, që tashmë janë rreth 400 megavat.
Ligji i ri gjithashtu synon të futë konceptin e depozitimit të energjisë, një kërkesë e madhe e prodhuesve, sidomos të energjisë së rinovueshme.
Tryeza e dytë e diskutimeve për ligjin përfshiu jo vetëm ekspertë teknikë, por edhe kompanitë publike dhe private, Entin Rregullator të Energjisë dhe konsulentë, për të garantuar që procesi të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës.
Qëllimi është të krijohen rregulla të qarta lojë dhe një konkurencë të ndershme midis të gjithë aktorëve të tregut të energjisë elektrike.
Ky ligj pritet të vendosë themelet e një modeli të ri funksionimi të tregut, më fleksibël, të integruar në tregjet rajonale dhe të gatshëm për sfidat e së ardhmes.

