RËNIA E LINDSHMËRISË/ Sociologu Tushi: Familjet moderne s'kanë më prioritet rritjen e numrit të fëmijëve
Edhe pse janë ndërmarrë disa nisma, si bonuset për lindjet, ekspertët vlerësojnë se nevojiten reforma më të thella dhe strategji afatgjata për të frenuar këtë trend.
Rënia e lindshmërisë në Shqipëri vijon të mbetet një nga sfidat më serioze demografike dhe sociale të viteve të fundit.
Sipas ekspertëve, norma e lindshmërisë ka pësuar një rënie të ndjeshme gjatë tre dekadave të fundit, duke e çuar vendin drejt një procesi të përshpejtuar të plakjes së popullsisë.
Për sociologun Gëzim Tushi, familja moderne nuk e ka më prioritet kryesor rritjen e numrit të fëmijëve, ndërsa faktorë të tjerë si rënia e martesave, rritja e divorceve, kostot e larta të rritjes së një fëmije dhe mungesa e mbështetjes së mjaftueshme sociale ndikojnë drejtpërdrejt në këtë fenomen.
Tushi paralajmëron se nëse trendi do të vijojë , vendi mund të përballet me nevojën për të importuar fuqi punëtore nga jashtë, ndërsa struktura e popullsisë do të bëhet gjithnjë e më e moshuar.

