Çmimet marramendëse të naftës po i fundosin fermerët/ Rusinovci: Rritet kostoja e prodhimit, rrezikohen mbjelljet pranverore
Në kohën kur fermerët në mbarë vendin kanë nisur përgatitjet për mbjelljet pranverore, veçanërisht të misrit, ata po përballen me një sfidë të madhe që rrezikon të gjithë sezonin: koston stratosferike të karburanteve.
Rritja e çmimeve, e cila ka prekur nivele rekord, po shërben si një faktor demotivues dhe dekurajues për prodhuesit vendorë.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin "Alert", për të folur më tepër për këtë temë, ishte pedagogu i Fakultetit të Bujqësisë në Prishtinë, Imer Rusinovci.
"Ndodhemi në fund të marsit, periudhë kjo që përkon, përveç disa prodhimtarive intensive, me fokus të veçantë në rrafshin e Dukagjinit, janë parapërgatitjet për mbillet pranverore, duke u fokusuar në sipërfaqet më të mëdha kultivuese pas grurit që është misri, dhe kultura të tjera që për itinerarin tonë kalendarik, nëse flasim për misrin, mendoj si kulturë kryesore përfaqësuese pranverore, përkon diku me dekadën e dytë dhe të tretë të muajit prill.
Flas gjithmonë për mbiljen në afat optimal agroteknik, por që kësaj i paraprin parapërgatitjet e tokës për mbilje që koincidon me këtë çka u potencua paraprakisht nga pasqyra juaj hyrëse.
Është e vërtetë se pas konfliktit që ndodhi tash, po themi nesër një muaj çmimet e karburanteve janë pothuajse të dyfishuara.
Di që në Shqipëri sot një litër naftë është mbi 2 euro, ndërsa në Kosovë sot ishte diku, varësisht nga pikat e derivateve të naftës, ose pompat e benzinës, siç i quajmë ne, prej 1.74 deri 1.78.
Domethënë, aty pari sillet, por ajo çka është shqetësuese, ajo çka është brengosëse, ajo çka është demotivuese, dekurajuese për fermerët, është se ata nuk kanë një dozë sigurie se nesër ose pasnesër do të kenë një çmim më të ulët, pavarësisht shumë prononcimeve të shoqatave të cilat më tepër janë megalomane sepse nuk kanë ndonjë mekanizëm ekzekutiv që të veprojnë.
Pa medyshje, kjo do të shtojë koston e prodhimit për të gjithë produktet në sektorin e bujqësisë, sepse prodhimi primar, përkatësisht pjesa çka e mbulojmë ne, nëse nuk finalizohet deri në produktet finale në një gamë të teknologjisë ushqimore, atëherë ne nuk e kemi dhënë provimin, në një farë forme.
Por që nuk ka një ide se si do të përfundojë kjo, dhe deri sot nuk shoh një iniciativë konkrete, korrekte, qeveritare, përkatësisht të dikasterit përkatës, që të ndërhyjë diçka, të paktën për fermerët vendorë.
Sepse jemi prej vendeve të rralla, qoftë ne, qoftë ju, që nafta, blihet me çmim të njëjtë sikur për makinën luksoze, sikur për traktorin ose, nëse kemi të bëjmë më vonë me korrje-vjelje, kombajnë e të tjera e të tjera, që nuk ka shumë logjikë.
Dhe të paktën, mendoj, se shteti duhet të mendojë seriozisht, po flas për bujqësi, sepse ndoshta është e pamundur edhe për kerre të luksit, të ulë akcizën dhe TVSH-në, të paktën për fermerët, për prodhimtari vendore, në mënyrë që mos të mvarremi shumë nga importi.
Nëse se ke lexuar raportin e vitit të kaluar, ne kemi pasur diku import, flas gjithmonë me letra, të prodhimeve bujqësore, përfshirë duhanin, vajin, që ne i kategorizojmë në grupin e prodhimeve bujqësore, mbi 1 miliard euro.
Nuk justifikohet. Ne do të blenim diçka që nuk përkon me kushtet tona agro-ekologjike, por të kemi import të madh të grurit, misrit, qumështit, mishit, produkteve domethënë që janë bazë jetike e tryezës të çdo konsumatori, kjo është e pajustifikueshme.
Dhe emëruesi i përbashkët në sektorin e agronomisë duhet të fokusohet tek shërbimet këshillimore, tek fermerët, qofshin prodhues, qofshin përpunues, dhe dikasteri përkatës, që të kemi një emërues të përbashkët në mënyrë që atë ta avancojmë sa më shumë dhe sa më tepër dhe të mvarremi sa më pak nga importi, i cili është marramendës për këtë numër të vogël të popullatës që kemi dhe i cili për prodhimet që përkojnë me kushtet tona klimatike dhe tokësore nuk justifikohet", u shpreh Rusinovci.
Emisioni i plotë: