Gonxhja: 261% më shumë fonde për institucionet kulturore! Muzeu i ri arkeologjik, zgjerim i ofertës turistike në Tiranë

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja deklaroi sot se buxheti për institucionet kulturore në vend për vitin 2026 është 173 milionë lekë.

Në një konferencë për shtyp, Gonxhja tha se “kjo është një rritje e konsiderueshme prej 261% krahasuar si e nisëm vitin në 2024 dhe me 87% krahasuar me si e nisëm vitin në janar 2025″.

“Natyrisht që rritja e buxhetit reflekton një mbështetje, pavarësi dhe përgjegjësi më të madhe nga ana e këtyre institucioneve për skenën artistike në vend dhe për të gjithë aktivitetet profesionale dhe të gjithë ndërveprimin që ata kanë me artin dhe me kulturën, me krijimtarinë sa i takon programeve që do të zhvillojnë, thirrjeve që zhvillojnë gjithë aspektit të një kalendari artistik dhe krijimtarisë që u takon këtyre institucioneve”, nënvizoi Gonxhja.

Ministri Gonxhja u shpreh se “jemi koshientë që këto institucione i kanë të gjitha mundësitë dhe të gjithë stafin që do të dëshiron dhe kapacitetet e mundshme sa i takon investimeve kapitale dhe procedurave që lidhen me blerje dhe prokurime në aspektin e menaxhimit financiar. Nga pikëpamja artistike janë më dinamike dhe më energjike”.

Sa i takon performancës së institucioneve të artit dhe kulturës Gonxhja tha se “në janar-shkurt pjesëmarrja e publikut ka shënuar një rritje me të njëjtën periudhë të vitit 2025, ku prej 7% në total që ka qenë i numri i biletave të shitura, ka shkuar në një rritje prej 57%”.

“Paralelisht, siç kuptohet dhe nga numri i rritur i shitjes së biletave, ka një rritje të të ardhurave, të cilat duke u krahasuar me vitin 2025 për këtë periudhë janë rritur me 96%, ose me 5,7 milionë lekë”, tha Gonxhja.

“Në Teatrin Kombëtar, ku kemi pasur një ndryshim të rëndësishëm në administrim dhe menaxhim, kemi 627% më shumë bileta në dy muajt e parë të vitit dhe 52% më shumë të ardhura. Teatri Kombëtar është e rëndësishme të bëjë shfaqje të nivelit të lartë. Në Teatrin Eksperimental 67% më shumë bileta dhe 155% më shumë të ardhura, në Qendrën e Kulturës për Fëmijë ka 188% më shumë të ardhura”, tha Gonxhja.

Sa i takon Cirkut Kombëtar, Gonxhja tha se “kemi 591% më shumë të ardhura, edhe pse ende është i pasistemuar përfundimisht, pa një qendër që të kryejë aktivitetin e vet, për të cilin ne po punojmë në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, edhe në kushtet që jemi, Cirku Kombëtar ka 127% më shumë bileta”.

"Muzeu i ri arkeologjik pranë sheshit “Nënë Tereza”, zgjerim i ofertës turistike në Tiranë"

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja deklaroi sot në një konferencë për mediet se ngritja e Muzeut të ri Arkeologjik pranë sheshit “Nënë Tereza” është një zhvillim i rëndësishëm për pasurimin e ofertës kulturore dhe turistike të kryeqytetit.

I pyetur mbi projektin, Gonxhja u shpreh se Tirana, si qytet me jetë të gjallë dhe rëndësi për të gjithë vendin, ka nevojë për shumë tema, qendra, pika, muze dhe destinacione të ndryshme që ofrojnë një menu të gjerë dhe të pasur të historisë, trashëgimisë të së shkuarës dhe të tashmes, si dhe të gjithë tematikave të ndryshme për të cilat një qytet ka shumë nevojë.

“Është një lajm i mirë për qytetin. Tirana, si qytet me jetë të gjallë dhe rëndësi për gjithë vendin, ka nevojë të ketë shumë tema, qendra, pika, muze dhe destinacione të ndryshme brenda qytetit. Këto duhet të ofrojnë një menu sa më të gjerë dhe të pasur të historisë, të trashëgimisë të së shkuarës dhe të së tashmes, si dhe të gjithë tematikave të ndryshme që një qytet ka shumë nevojë”, tha Gonxhja.

Ai vuri në dukje se deri tani vizitorët kanë pasur një ofertë të kufizuar muzeale, e fokusuar kryesisht në periudha të caktuara, si periudha e Luftës së Ftohtë dhe e regjimit, dhe disa muze të suksesshëm që ndodhen në kryeqytet.

“Deri sot kemi vuajtur në këtë drejtim, sepse kemi pasur kryesisht muze ose një narrativë që lidhet me periudha të caktuara, si periudha e Luftës së Ftohtë apo e regjimit, dhe disa muze të suksesshëm që janë në kryeqytet. Për vizitorët kjo ka përfaqësuar një menu goxha të kufizuar”, tha ai.

Ministri theksoi se muzeu i ri do të jetë pjesë e procesit të rimodernizimit dhe rikonstruksionit të Muzeut Historik Kombëtar dhe do të krijojë mundësi të reja për vizitorët.

“Ndërkohë që punojmë për rimodernizimin dhe rikonstruksionin e Muzeut Historik Kombëtar, i cili natyrisht do të jetë një qendër e jashtëzakonshme kombëtare dhe ndërkombëtare, duhet të krijojmë mundësi të reja”, deklaroi Gonxhja.

Ai sqaroi se projekti përfshin edhe ndërtimin e një muzeu nëntokësor pranë sheshit “Nënë Tereza”, i dedikuar artefakteve arkeologjike dhe gjetjeve të ndryshme, duke shfrytëzuar fondet e Institutit të Arkeologjisë dhe burime të tjera në dispozicion.

“Ky projekt është duke u zhvilluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe do të shtojë një muze nëntokësor, i cili do të jetë i dedikuar artefakteve arkeologjike dhe gjetjeve të ndryshme, duke përfshirë fondet e Institutit të Arkeologjisë, por edhe fonde të tjera që do të vihen në dispozicion”, tha ai.

Ministri siguroi gjithashtu se projekti nuk do të prekë ambientet ekzistuese të përdorura nga Instituti i Arkeologjisë apo Fakulteti përkatës i Universitetit Politeknik të Tiranës.

“Nuk ka asnjë lloj kanosjeje ndaj ambienteve dhe hapësirave aktuale që përdoren nga Instituti i Arkeologjisë apo Fakulteti përkatës i Universitetit Politeknik të Tiranës. Nuk ka asnjë situatë që lidhet me ambientet mbi tokë”, tha Gonxhja.