Preçi: Bordi “i çmimeve” në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës! Ja si po varfërohen shqiptarët
Në një ekonomi normale, marrëdhënia mes qeverisë që synon të mbledhë taksa, biznesit që kërkon të maksimizojë fitimin dhe konsumatorit, shpesh e vendos këtë të fundit në pozitë të pafavorshme.
Sipas një analize të ekspertit të ekonomisë, Zef Preçi në studion e lajmeve në “Ora News”, në Shqipëri kjo dinamikë ka çuar në një tkurrje të dukshme të konsumit, ku qytetarët po varfërohen ndërkohë që të ardhurat buxhetore nga TVSH dhe fitimet e bizneseve janë rritur.
Në qendër të kritikave të Preçit është mënyra e reagimit të qeverisë ndaj krizës së çmimeve. Në vend të një qasjeje “proaktive”, e cila mendon për të ardhmen, autoritetet shqiptare po ndjekin një strategji “reaktive” dhe “emocionale”.
Kjo qasje, tha ai, ka kulmuar me krijimin e mekanizmave me ligjshmëri të dyshimtë, siç është Bordi i Rregullimit të Çmimeve.
Ky bord, sipas tij, bie ndesh drejtpërdrejt me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili është në fuqi prej 25 vitesh dhe e cilëson fiksimin e çmimeve si një veprimtari të dënueshme dhe antikonkurrencë.
Fakti që Autoriteti i Konkurrencës nuk është pjesë e këtij bordi, shihet si një tregues i qartë i problematikës ligjore. Preçi theksoi se roli i rregullimit të tregut duhet të luhet nga entet rregullatore ekzistuese, si ato të energjisë, telekomunikacionit apo sistemit bankar, të cilat duhet të kenë një rol më aktiv.
Kjo situatë, tha ai, ka prodhuar pasoja negative të prekshme. Çmimet e larta në Shqipëri, veçanërisht për karburantet, kanë nxitur fenomenin e “turizmit energjetik”, ku qytetarët e zonave kufitare detyrohen të furnizojnë automjetet e tyre në Maqedoninë e Veriut, Kosovë apo Mal të Zi.
Kjo situatë, sipas Preçit, është “anormale”, sidomos kur merret parasysh se një pjesë e këtyre vendeve furnizohen me karburant që tranziton përmes Shqipërisë.
Një shembull flagrant i keqmenaxhimit është rasti i rafinerisë së naftës. Pavarësisht premtimeve të përsëritura për ndërtimin e një rafinerie të re, Shqipëria jo vetëm që nuk ka një të tillë, por mazhoranca aktuale dërgoi për skrap rafinerinë ekzistuese.
Kjo ndodh ndërkohë që Kroacia, një vend me rezerva nafte tre herë më të vogla se Shqipëria dhe me të njëjtën cilësi nafte të rëndë, po investon 800 milionë euro për të modernizuar rafinerinë e saj.
Ndër të tjera, eksperti Zef Preçi u shpreh se mekanizmi aktual i ndërhyrjes në treg vlerësohet si një “deviz ndaj së shkuarës”, që të kujton një ekonomi të planifikuar ku shteti cakton çmimet.
Shkelja e rregullave të tregut dhe mosfunksionimi i institucioneve mbikëqyrëse ka sjellë evazion, cilësi më të dobët dhe përqendrim të tregut, duke bërë që çmimet të vazhdojnë të rriten në kurriz të qytetarëve.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME EKSPERTIN E EKONOMISË, ZEF PREÇI

