Basha: Rama, ekip eksperimental në shërbim të tij dhe në kurriz të shqiptarëve

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka hedhur akuza të rënda në drejtim të ekipit të ri qeverisës, të shpallur dje nga kryeministri i ardhshëm Edi Rama.Në një konferencë për shtyp, Basha e cilësoi qeverinë e re një ekip eksperimental, jo në shërbim të qytetarit por për të përmbushur dëshirën e Ramës për të qenë kryeministër."Dje qytetarët dëgjuan nga Rama për ekipin që do të përballet me sfidat e qeverisjes, e bashkë me emrat e shqiptuar prej tij në veshët e shqiptarëve gjëmuan jehonat e të shkuarës, ekip eksperimental, me ministra të Ramiz Alisë, protagonistë të kapjes së shtetit dhe përfitimit nga pushteti, sharësit, shpifësit kundër vendit në 8 vitet e fundit” tha Basha.Sipas tij, në të janë lidhjet nepotike e menaxhues të njohur të ish kryebashkiakut, ekip që mbledh paaftësi mungesë eksperiencë mediokritet dhe reflekse korruptive, duke lënë jashtë vlera e kapacitete serioze."Ai la jashtë vlera dhe kapacitete të rëndësishme të Partisë Socialiste dhe duke përfshirë kamikaz personal ai shkelmoi demokracinë dhe shpiku rregulla të paqenë në funksion të mbajtjes së pushtetit për veten e tij.Pas tërheqjes së cdo premtimi nga zgjedhjet ai vërteton se qeveria nuk mund të jetë vec për të përmbushur endrrën e tij si kryeministër, ky nuk është ekipi që do i shërbejë qytetarit por do i përulet kryetarit" tha Basha.Ai ka theksuar se pasojat e kësaj qeverie do të rëndojë në xhepat e të gjithë shqiptarëve, ndërsa shtoi se PD-ja do të vijojë të mbrojë interesat e qytetarëve.“Çdo shqiptar duhet ta di sot se shumë shpejt pasojat e këtij qëndrimi shpërfillës ndaj interesave dhe vullnetit të tyre do të rëndojnë mbi xhepat dhe tavolinat e tyre. PD është e vendosur që në respekt të demokracisë të përballet fuqishëm e të mbrojë interesat e vendit nga kjo skenë e paralajmëruar e kapjes së pushtetit” shtoi Basha.