“U SHTOFSHI”, MBETET VETËM URIM! Lindshmëria në rënie. Sociologët: Arsyet nga emigrimi tek pasiguritë
Numri i lindjeve në Shqipëri ka rënë ndjeshëm, nga mbi 80 mijë në vitet ’90 në rreth 21 mijë në vitin 2025. Sociologët thonë se emigrimi, pasiguria ekonomike dhe kostoja e jetesës po i shtyjnë të rinjtë të vonojnë krijimin e familjeve
Nga mbi 80 mijë foshnje të lindura në vitet ’90-të, në vetëm 21 mije ne vitin 2025, të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se numri i lindjeve ka rënë ndjeshëm gjatë 3 dekadave të fundit.
Gati 74% në shifra ose rreth 60 mije foshnja te lindura me pak ne 35 vite!
Rënia ka qenë progresive ndër vite: nga 82 mijë lindje në vitin 1990, shifrat zbritën në 57 mijë në 1999 dhe nën 50 mijë në fillim të viteve 2000, ndërsa tkurrja më e fortë u shënua në periudhën 2001–2005.
Edhe pse vitet 2006–2014 shënuan një stabilizim të përkohshëm rreth 34–36 mijë lindje në vit, pas vitit 2015 nisi një rënie e re që arriti nivelin më të ulët historik në vitin 2025.
Sociologët e lidhin këtë prirje me emigrimin masiv, pasigurinë ekonomike dhe rritjen e kostos së jetesës, faktorë që po shtyjnë të rinjtë të vonojnë ose të shmangin krijimin e familjeve.
Përballë alarmit që ngrenë të dhënat, kërkojnë masa urgjente për rritjen e lindshmërisë
Ekspertët paralajmërojnë se vijimi i këtij trendi mund të krijojë presion të madh mbi tregun e punës, sistemin e pensioneve dhe zhvillimin ekonomik, duke e bërë të domosdoshme hartimin e politikave konkrete për mbështetjen e familjeve dhe nxitjen e lindshmërisë.

