Rama publikon PAMJET: Modernizim i infrastrukturës në shkollat “Bajram Curri” dhe “Avni Rustemi” në Kukës

Tre institucione arsimore, shkolla “Bajram Curri” dhe “Avni Rustemi” si dhe konvikti i  qytetit të Kukësit po rikonstruktohen falë mbështetjes së buxhetit të shtetit për krijimin e kushteve moderne për nxënësit, mësuesit dhe studentët.

Shkollat do të kenë ambiente të standardeve bashkëkohore, që përfshijnë laboratorë, hapësira për aktivitete kulturore dhe sportive, si dhe hapësira të gjelbra për qëndrim dhe rekreacion.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga puna që po bëhet për rilindjen e këtyre dy shkollave dhe konviktit në Kukës, duke i konsideruar ato si investime direkte në përmirësimin e cilësisë së mësimit për nxënësit dhe mësuesit e tyre.

Shkollat “Bajram Curri” dhe “Avni Rustemi”, si edhe konvikti në qytetin e Kukësit pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së arsimit në zonë, duke u ofruar nxënësve hapësira bashkëkohore dhe mundësi më të mira për zhvillimin e aftësive dhe talenteve të tyre.

Ky investim konsiderohet një hap i rëndësishëm në mbështetje të komunitetit dhe në krijimin e kushteve më të mira për brezat e rinj.