Kontrolli biologjik/ Prof. Shpend Shahini tregon alternativat pa pesticide që po ndryshon bujqësinë

Prof. Dr. Shpend Shahini, i ftuar në emisionin "Alert", foli për kontrollin biologjik si risi në bujqësi dhe si alternativë ndaj përdorimit të pesticideve.

Sipas tij, kontrolli biologjik po zbatohet si bashkëpunim mes sektorit publik dhe privat, përmes projekteve pilot dhe testimeve në terren për të parë funksionimin real të kësaj metode.

Ai shpjegoi se koncepti bazohet në përdorimin e insekteve të dobishme, të cilat reduktojnë popullatat e dëmtuesve pa pasur nevojë për pesticide kimike.

“Kontrolli biologjik bazohet te prania e insekteve të dobishme. Nuk ka nevojë për pesticide, natyra bën punën e saj. Ka insekte predatorë që ushqehen me dëmtuesit dhe ka edhe parazitues që ulin popullatat. Qëllimi është mbajtja nën kontroll e dëmtuesve, pa ndërhyrje kimike.”- u shpreh Shahini.

Ai foli edhe për standardet evropiane, ku praktikat e kontrollit biologjik janë pjesë e politikave të bujqësisë së qëndrueshme dhe pritet të bëhen kusht për kualifikimin e fermerëve.

“Në praktikat e BE-së, kontrolli biologjik është standard. Nëse flasim për integrimin evropian, kjo do të jetë praktikë e detyrueshme për fermerët që duan të kualifikohen.”- ka thënë ai.

Sipas Shahinit, zbatimi i këtyre metodave e afron bujqësinë vendase me modelet evropiane dhe ul varësinë nga pesticidet, duke mbrojtur shëndetin e konsumatorit dhe mjedisin.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË: