Tatimi i mbipaguar, individët pa fëmijë gjithashtu mund të kërkojnë rimbursim

Për herë të parë, individët që kanë paguar më shumë tatim sesa duhet gjatë vitit 2025, duke përfshirë edhe ata pa fëmijë, mund të aplikojnë për rimbursim pas plotësimit të Deklaratës Individuale të të Ardhurave (DIVA).

Në kuadër të ndryshimit të parimit të llogaritjes së tatimit, tani tatimi mbi të ardhurat nga punësimi rillogaritet mbi bazë vjetore, dhe jo mujore si më parë.

Kjo ka bërë që disa individë, përfshirë ata pa fëmijë, të rezultojnë me tatim të mbipaguar dhe të kenë të drejtë të kërkojnë rimbursim.

“Përveç individëve që kanë fëmijë dhe përfitojnë zbritje për shpenzimet arsimore, edhe ata pa fëmijë që kanë paguar më shumë tatim gjatë vitit 2025 mund të aplikojnë për rimbursimin e mbipaguar”, bën të ditur në një prononcim në media, drejtoresha e Procesimit të Biznesit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Rozana Çelmeta.

Afati për dorëzimin e DIVA është deri më 31 mars 2026, ndërsa shpërndarja e kompensimeve do të nisë në muajin prill.