Bujqësia pa kimikate/ Rama: Fermerët duhen të kualifikohen me standartet e BE, do aplikohen insektet e dobishme në ferma

Klodian Rama, Këshilltar për bujqësinë, ishte i ftuar në emisionin "Alert", ku foli për kontrollin biologjik si praktikë e re në bujqësi dhe alternativë ndaj përdorimit të pesticideve.

Sipas tij, kontrolli biologjik ka nisur si bashkëpunim mes sektorit publik dhe atij privat.

Metoda është testuar dhe pilotuar në terren për të vlerësuar funksionimin praktik të saj në ferma dhe sera.

“Kontrolli biologjik është risi dhe inovacion. Ka nisur si bashkëpunim mes sektorit publik dhe privat. Janë testuar modele konkrete për të parë nëse funksionon në praktikë.”- tregoi Rama.

Ai shpjegoi se kjo qasje bazohet te përdorimi i insekteve të dobishme që luftojnë dëmtuesit, pa nevojën e pesticideve.

“Fokusi është te insektet e dobishme. Nuk ka nevojë për pesticide. Natyra bën punën e saj. Insektet predatorë ushqehen me dëmtuesit, ndërsa parazituesit ulin popullatat.”- tha ai.

Sipas Ramës, qëllimi është mbajtja nën kontroll e dëmtuesve, pa ndërhyrje kimike, duke ruajtur mjedisin dhe sigurinë ushqimore.

“Kontrolli biologjik shërben për të mbajtur nën kontroll popullatat, pa pasur nevojë për pesticide.”- shtoi Këshilltari.

Ai foli edhe për standardet evropiane, ku kjo praktikë është pjesë e rregullave të bujqësisë moderne dhe pritet të jetë kusht për fermerët që synojnë kualifikimin sipas praktikave të Bashkimit Evropian.

“Në praktikat e BE-së, kontrolli biologjik është standard. Për fermerët që duan të kualifikohen sipas modelit evropian, kjo do të jetë praktikë e detyrueshme.”- u shpreh Rama.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË: