VIDEO-UDHËZIMI/ Tatimet sqarojnë: Plotësimi i DIVA – hap pas hapi
Administrata Tatimore publikoi një video informuese për plotësimin e Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA).
Ky hap është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të siguruar përmbushjen e kërkesave ligjore të deklaratës për të ardhurat e vitit 2025, që duhet dorëzuar deri më 31 mars 2026.
Për herë të parë këtë vit aplikohet parimi i të ardhurave vjetore. Përveç zbritjeve dhe përfitimeve për numrin e fëmijëve në ngarkim dhe shpenzimet arsimore, individët gjithashtu mund të aplikojnë për rimbursimin e tatimit të mbipaguar gjatë vitit për të ardhurat nga punësimi.
Tatimet parashikojnë që rreth 200 mijë individë do të duhet të dorëzojnë Deklaratën Individuale të të Ardhurave Vjetore. Ky numër i shtuar është i lidhur me risinë e aplikimit të kompensimit për shpenzimet e arsimit dhe mundësinë për rimbursimin e tatimit të mbipaguar gjatë vitit për të ardhurat nga punësimi që tashmë do të llogariten me bazë vjetore dhe jo mujore.
Në videon e shpërndarë, qytetarët mund të ndjekin udhëzime të detajuara që shpjegojnë çdo hap të procedurës për të garantuar që deklarata e tyre të përmbushë kërkesat dhe të mos ketë pasaktësi.
Për individët që do të plotësojnë DIVA për herë të parë, është e nevojshme të regjistrohen elektronikisht në faqen zyrtare të tatimeve www.tatime.gov.al.
Pasi të regjistrohen, të dyja kategoritë, individët që plotësojnë për herë të parë DIVA dhe ata që e kanë plotësuar më parë, do të hyjnë në modulin e-Shërbime. Aty do të duhet të identifikohen me kredencialet dhe numrin personal të identifikimit nëpërmjet e-Albania.
Pasi të klikojnë mbi rubrikën “Tatimi mbi të ardhurat personale” dhe të zgjidhin periudhën 2025, do të mund të krijojnë dhe plotësojnë deklaratën përkatëse.
Deklarata DIVA 2025 do të gjenerohet automatikisht me të dhënat e të ardhurave vjetore bruto nga pagat ose shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit, si dhe me përllogaritjen e Tatimit mbi të Ardhurat nga Punësimi.
Procedura për rimbursimin e tatimit të mbipaguar është gjithashtu e shpjeguar në video.
Pasi të jetë plotësuar DIVA, individi duhet të plotësojë informacionin për llogarinë bankare në modulin e-Filing dhe më pas të krijojë një çështje për rimbursim.
Për individët që aplikojnë për kompensim për shpenzimet arsimore, duhet të bashkëngjisin dokumentacionin përkatës, përfshirë fatura të fiskalizuara për shpenzimet e arsimit të fëmijëve, si dhe kontratat me institucionet arsimore.
Afati për dorëzimin e DIVA është deri më 31 mars 2026. Pas këtij afati, Administrata Tatimore do të fillojë verifikimin e kërkesave dhe dokumentacionit, dhe shpërndarja e kompensimeve pritet të nisë në muajin prill.
Detyrimi për plotësimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave është për individët me të ardhura mbi 1.2 milionë lekë në vit, ata që janë të dypunësuar dhe individët që kanë të ardhura të padeklaruara mbi 50 mijë lekë në vit, nga qiraja, honorarë dhe të ngjashme.

