KORRIDORI I VIII - Zv.Kryeministrja Balluku: Projekt i hershëm i qeverisë “Rama”

Zv.Kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaron se Korridori VIII tashmë është një realitet, duke e cilësuar atë një prioritet të hershëm të qeverisë Rama. Përmes pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, Balluku theksoi ecurinë e investimeve strategjike në infrastrukturë, duke e konsideruar projektin një urë lidhëse mes Europës dhe Ballkanit përmes autostradave, porteve dhe linjave hekurudhore.

Korridori VIII tanimë është një realitet!

Zv.Kryeministrja njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku e nisi ditën e shtunë me një mesazh në rrjetet sociale për atë që e cilëson një nga prioritetet e hershme të qeverisë së kryeministrit Rama.

Publikoi këto pamje që tregojnë ecurinë e zbatimit të projektit për realizimin e Korridorit VIII, i cilësuar një urë lidhëse mes Europës dhe vendeve të Ballkanit përmes autostradave, porteve dhe linjave hekurudhore.

Belinda Balluku: “KORRIDORI VIII – Prioritet i hershëm i Qeverisë “Rama”, sot një realitet i prekshëm përmes investimeve strategjike në infrastrukturë dhe energji. I përfshirë në rrjetin europian TEN-T dhe tashmë i certifikuar si korridor sigurie i forcave të NATO”.

Ky mesazh vjen vetëm pak ditë para se me datën 18 shkurt Tirana të shndërrohet  në qendrën e dialogut rajonal për ri-afirmimin e rëndësisë strategjike të një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore dhe gjeopolitike të rajonit: Ministerialit të Korridorit VIII, i cili do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave, me pjesëmarrjen e delegacioneve nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Italia dhe Rumania, si dhe përfaqësues nga vende partnere.

Takimi synon të thellojë bashkëpunimin ndërqeveritar për përshpejtimin e zhvillimit të Korridorit VIII si një arterie strategjike transporti, zhvillimi ekonomik dhe sigurie, duke kontribuar njëkohësisht në forcimin e integrimit rajonal dhe ndërlidhjen me rrjetet kryesore evropiane.