Çaushi: Ligji i ri për bankat adreson menaxhim të zhvillimeve teknologjike dhe rrezikut kibernetik

Banka e Shqipërisë është në përgatitjet e fundit të ligjit të ri për bankat, i cili synon përafrimin e plotë me standardet dhe direktivat e Bashkimit Evropian, forcimin e stabilitetit financiar, mbrojtjen e konsumatorit dhe modernizimin e veprimtarisë bankare, duke përfshirë edhe bankat digjitale dhe institucionet fintech.

Ligji sjell si risi kryesore në qeverisjen e bankave, menaxhimin e rrezikut, instrumentet mbikëqyrëse, transparencën, si dhe rregullimin e subjekteve financiare jobanka, duke garantuar një kuadër gjithëpërfshirës dhe të harmonizuar me praktikat më të mira europiane.

Drejtoresha e Komunikimit në Bankën e Shqipërisë, Erinda Çaushi, në një intervistë për ATSh-në tha se, “hartimi i ligjit të ri për bankat është i domosdoshëm për përputhshmërinë me standardet e Bashkimit Evropian dhe për adresimin e sfidave të sektorit financiar”.

“Kuadri ligjor aktual i Shqipërisë për sektorin bankar është miratuar në vitin 2006 dhe është ndryshuar ndër vite, në varësi të zhvillimeve që ka përjetuar sektori bankar dhe financiar. Ai parashikon kërkesa mbi proceset e licensimit të bankave, ushtrimin e veprimtarive bankare dhe financiare, administrimin e rrezikut, si dhe kompetencat e Bankës së Shqipërisë si autoritet mbikëqyrës”, u shpreh Çaushi.

Çaushi: Ligji i ri për bankat adreson menaxhim të zhvillimeve
Drejtoresha e Komunikimit në Bankën e Shqipërisë, Erinda Çaushi

Sipas saj, procesi i integrimit të Shqipërisë në BE kërkon një përafrim të plotë të kuadrit ligjor dhe rregullator me direktivat e BE-së, duke përfshirë edhe rregulloret e fundit ndërkombëtare CRD VI dhe CRR 3.

“Rritja e kompleksitetit të aktivitetit bankar, forcimi i kërkesave për stabilitet financiar dhe mbrojtjen e konsumatorit e bëjnë të nevojshme një rregullim më gjithëpërfshirës të veprimtarisë bankare”, theksoi ajo.

Çaushi nënvizoi risitë kryesore që sjell ligji i ri, duke përmendur strukturimin më të qartë të kërkesave për qeverisjen e bankave, forcimin e rolit të organeve drejtuese dhe përgjegjësive të tyre, politikat e qeverisjes dhe ato të shpërblimit, përmirësimin e kuadrit për menaxhimin e rrezikut dhe kontrollin e brendshëm.

“Ligji i ri do të përmirësojë instrumentet mbikëqyrëse të autoritetit, do të forcojë mekanizmat për ruajtjen e stabilitetit financiar, do të rrisë kërkesat mbi transparencën dhe mbrojtjen e konsumatorit, sekretin profesional, mbrojtjen ligjore, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit”, shtoi Çaushi.

Ajo bëri me dije se ligji i ri parashikon gjithashtu adresimin e zhvillimeve në digjitalizimin bankar, përfshirë bankat digjitale dhe fintech-et, duke përfshirë kërkesa për menaxhimin e rrezikut operacional, të teknologjisë së informacionit dhe rrezikut kibernetik. “Këto banka do të jenë subjekt i projektligjit të ri, duke garantuar siguri, stabilitet financiar dhe mbrojtje për konsumatorët”, tha Caushi.

Sipas saj, drafti i ligjit është në fazë përgatitore dhe diskutimi teknik, ndërsa synimi është që ligji të miratohet brenda vitit 2027, duke garantuar cilësi dhe përputhshmëri me standardet europiane.