PAVARËSIA E KUVAJTIT! Ambasada pret miq dhe të ftuar, veçohen raportet dypalëshe (FOTO+VIDEO)
Ambasada e Kuvajtit në Tiranë kremtoi 65-vjetorin e pavarësisë dhe 35-vjetorin e çlirimit të vendit. Në një takim që bëri bashkë miq të këtij shtetit, u fol për raportet e shkëlqyera mes dy vendeve, e përkthyer kjo në investime konkrete të Kuvajtit në Shqipëri.
Dita e Pavarësisë dhe e Çlirimit të Kuvajtit u kremtua në Tiranë.
Diplomatë, përfaqësues të shtetit e politikës shqiptare, sikurse përfaqësues të medies dhe biznesit u bënë bashkë në ceremoninë e organizuar nga Ambasada në vendin tonë
I ngarkuari me Punë të Ambasadës së Shtetit të Kuvajtit në Tiranë Adnan Alghonaim përcolli urimin e Emirit të Kuvajtit, Sheikh Meshal Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah.

Duke folur për marrëdhëniet me Shqipërinë ai tha se ato janë të shtrira në kohë dhe qëndrueshmëri.

Marrëdhëniet mes Kuvajtit dhe Shqipërisë janë karakterizuar nga një histori e gjatë dhe e qëndrueshme që prej vitit 1968, gjatë së cilës dy vendet tona kanë punuar për forcimin e lidhjeve dypalëshe dhe zhvillimin e bashkëpunimit në fushat politike, ekonomike, kulturore dhe humanitare.

Në emër të shtetit të tij, Alghonaim vlerësoi arritjet e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

Ne vlerësojmë arritjet e Republikës së Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian dhe i urojmë Shqipërisë dhe popullit shqiptar më shumë prosperitet, zhvillim dhe përparim.
Bashkëpunimi mes Shqipërisë e Kuvajtit është intensifikuar përmes vizitave të nivelit të lartë dhe marrëveshjeve dypalëshe në fusha si ekonomia, arsimi dhe shëndetësia.

