Tabaku: Tenderat e digjitalizimit jashtë kontrollit institucional, shmangie e transparencës

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, reagoi sot në lidhje me projektligjin e propozuar nga deputeti i Partisë Socialiste, Erion Malaj, i cili sipas deputetes demokrate “parashikon kalimin e tenderave të teknologjisë nga një institucion publik, si AKSHI, te një kompani me natyrë publike-private, një strukturë hibride që do të veprojë sipas logjikës së një subjekti tregtar”.

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik theksoi se me këtë propozim tenderat e digjitalizimit do të menaxhohen nga një kompani me autonomi të zgjeruar, e cila mund të justifikojë mungesën e transparencës me “sekret tregtar”.

“Pra, tenderat publikë të digjitalizimit, qindra milionë euro, nuk do të menaxhohen më nga një agjenci shtetërore nën kontroll parlamentar dhe auditim të KLSh-së, por nga një entitet me autonomi të zgjeruar, me rregulla të brendshme dhe me mbikëqyrje të paqartë. Ky është ndryshimi thelbësor. Nga një institucion publik nën ligjin e prokurimit, drejt një kompanie që mund të justifikojë mungesën e transparencës me “sekret tregtar””, shkruan Tabaku.

Tabaku e ka cilësuar këtë propozim si “zhvendosje përgjegjësie” dhe një tentativë për të shmangur transparencën dhe kontrollin mbi fondet publike.

Sipas saj “në vend që të pastrohet sistemi, propozohet transferimi i “çelësave” të tenderave te një kompani hibride. Një ishull institucional, larg syve të opozitës dhe larg mekanizmave klasikë të kontrollit”.

Tabaku shtoi se “një model të tillë e kemi parë me Korporatën e Investimeve. E kemi parë me Bankën e Zhvillimit. Struktura që funksionojnë si shtet brenda shtetit”.

“Pas 400 milionë eurove dhe një institucioni nën hetim, Shqipëria nuk ka nevojë për riciklim strukturash. Ka nevojë për llogaridhënie. Teknologjia nuk është problem. Kapja e saj është problemi”, theksoi Tabaku.

Ajo shtoi se “këtë nuk mund ta fshehë asnjë ishull digjital, sado i sofistikuar të duket në letër”.

“Ndërkohë, ndërsa diskutojmë për entitete hibride, qindra biznese dhe sipërmarrës përplasen çdo ditë me sisteme që bien, me portale që nuk funksionojnë dhe me një shtet që kërkon taksa, por nuk garanton shërbim. Shqipëria meriton transparencë. Jo ishuj”, shkruan ajo.