Ligji i ri për Ambasadorët/ Turdiu: 60% e ambasadorëve janë emërime politike jashtë sistemit

Në studion e OraNews ishte i ftuar Ambasadori Gazmend Turdiu, i cili foli për gjendjen e shërbimit diplomatik shqiptar dhe problematikat që, sipas tij, po cenojnë seriozisht funksionimin e diplomacisë së vendit.

Turdiu e përshkroi shërbimin e jashtëm si fytyrën e shtetit në arenën ndërkombëtare, duke vënë në dukje se ky sektor po përjeton një krizë identiteti dhe profesionalizmi.

Sipas tij, ndërhyrjet politike kanë dëmtuar strukturën e karrierës diplomatike, duke e zhveshur atë nga parimi i meritokracisë dhe nga standardet që duhet të garantojnë përfaqësim dinjitoz të Shqipërisë jashtë vendit.

Gjithashtu evidentoi se një pjesë e madhe e titullarëve të misioneve diplomatike nuk vijnë nga sistemi i karrierës, por janë emërime nga jashtë shërbimit diplomatik.

Kjo situatë, sipas Turdiut, krijon boshllëqe serioze në përvojë profesionale dhe në vazhdimësinë institucionale të diplomacisë shqiptare.

Ndërsa qeveria, përmes ministres Elisa Spiropali, e cilëson ligjin e ri si hapjen e "një kapitulli të ri për diplomacinë", që vendos standarde të larta në një moment kyç për integrimin europian, Turdiu e shikon situatën krejt ndryshe.

Ai pranon se shërbimi i jashtëm nuk është në gjendjen e tij më të mirë, por argumenton se kjo situatë nuk është vetëshkaktuar. Sipas tij, problemi thelbësor qëndron te ndërhyrja e papërshtatshme e politikës.

“Shërbimi i jashtëm është prishur për shkak të politizimit, uljes së profesionalizmit dhe shndërrimit të tij në një strehë për emërime me kritere politike,” theksoi Turdiu.

Kjo situatë ka çuar në një realitet alarmues, ku meritokracia dhe karriera diplomatike duket se nuk kanë më vlerë. Të dhënat e paraqitura nga diploti janë shqetësuese.

Rreth 60% e titullarëve aktualë të përfaqësive diplomatike shqiptare janë emëruar jashtë radhëve të shërbimit të jashtëm dhe pjesa dërrmuese e tyre nuk kanë asnjë lidhje me diplomacinë.

Më tej, rreth 30% e gjithë trupës diplomatike nëpër përfaqësi përbëhet nga individë të ardhur jashtë sistemit. Këto emërime, sipas ambasadorit, janë arbitrare dhe në kundërshtim të plotë me legjislacionin në fuqi.

Fenomeni ka arritur deri aty sa disa prej të emëruarve kanë qenë shtetas të vendeve ku janë dërguar për të shërbyer, duke çuar në raste kur është shkelur hapur Konventa e Vjenës, një marrëveshje ndërkombëtare ku Shqipëria është palë.

PJESË NGA BISEDA

Ambasadori Turdiu: Me pjesën e parë të fjalisë së zonjës Spiropali jam plotësisht dakord. Hap një kapitull të ri, por çfarë kapitulli? Kjo është e rëndësishme të theksohet. Nëse më lejoni, ëh, unë kam ardhur këtu si një nga anëtarët e Këshillit të Ambasadorëve shqiptarë. Është një grupim vullnetar, profesionistësh, ende aktiv në fusha të ndryshme, po ku bëjnë pjesë ish-ministra, sekretarë të përgjithshëm, ambasadorë, drejtorë në shërbimin e jashtëm, njerëz që kanë dhënë kontribute në këto 32 vjet për shërbimin e jashtëm të Shqipërisë në shërbim të vendit.

Dhe më lejoni ta bëj këtë hyrje. Shërbimi diplomatik në këto vite ka shënuar arritje, arritje madhore. Unë do t'i filloja që nga fillimi i viteve '90-të me anëtarësimin në atë që ishte në atë kohë, konferenca për sigurinë dhe bashkëpunimin në Evropë, që pastaj u bë OSBE-ja, anëtarësimi në Këshillin e Evropës, nënshkrimi i MSA-së, anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave, kontribute thelbësore për në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, e të tjerë e të tjerë e të tjerë, për të shkuar tani në fund me kryesimin e OSBE-së dhe anëtarësimin në Këshillin e Sigurimit, që ishte një nga pikat kulmore.

Asgjë nga këto nuk do të bëhej dot, nëse nuk do të kishte mbrapa politikanëve që kanë dalë në rreshtin e parë, një trupë të shëndetshme diplomatike, e cila ka bërë gjithë përgatitjen, ka bërë lobimin, ka përgatitur dosjet, ka përgatitur tezat dhe i ka hedhur.

Pra, dua të them që shërbimi i jashtëm i Shqipërisë nuk është një ëh instrument i panevojshëm, përkundrazi, është një instrument thelbësor i i shtetit shqiptar. Siç isha dakord me pjesën e parë të fjalisë së që ka përmendur zonja Spiropali, që shërbimi i jashtëm hapet një kapitull i ri, jam dakord dhe me atë që tha dhe kryeministri në mbledhjen e asamblesë së PS-së që shërbimi i jashtëm nuk është në gjendje të mirë.

Po, është e vërtetë, shërbimi i jashtëm nuk është në gjendje të mirë, sepse ka ndodhur, ka ndodhur, ka ndodhur ndryshime. Por e vërteta është që shërbimi i jashtëm nuk është prishur vetë. Shërbimi i jashtëm është prishur për shkak të ndërhyrjes së papërshtatshme të politikës, duke e politizuar këtë, duke e hapur, duke i ulur profesionalizmin dhe duke e çuar, duke bërë një strehë nganjëherë dhe për të themi, për persona që janë pranuar me kritere politike.

Si është gjendja sot? Rreth 60% e titullarëve të shërbimit të jashtëm, janë marrë jashtë shërbimit. Pjesa dërrmuese e tyre, nuk ka asnjë lidhje me shërbimin e jashtëm.

Pra nuk vlen më meritokracia dhe karriera diplomatike?

Ambasadori Turdiu: Me përjashtime të rralla, nga këta që janë marrë jashtë shërbimit, e pranoj, përjashtime të rralla se unë i kam kolegë dhe kam punuar me ta dhe ua vlerësoj punën.

Me përjashtime të rralla, pjesa më e madhe e tyre nuk kanë lidhje me shërbimin e jashtëm. Një pjesë prej tyre janë dhe shtetas të vendeve ku ne i kemi emëruar.

Dy prej tyre janë detyruar të heqin shtetësinë e vendit, sepse ne shkelim Konventën e Vjenës duke i propozuar si ambasadorë në ato vende ku ata kishin dhe shtetësinë e tyre, gjë që është e ndaluar me me Konventën e Vjenës ku ne jemi palë. Sipas fjalës së vetë ministres Spiropali, rreth 30% e të emëruarve në përfaqësi janë jashtë sistemit.

Dhe kur them jashtë sistemit, këtu brenda, pra nuk flasim për titullarët, flasim për trupën diplomatike tani. Ëh, këta janë njerëz të cilët, është e drejtë e tyre, pjesa më e madhe të migrojnë, të shkojnë jashtë vendit, të ngrenë jetën e vet, të ndërtojnë familjet e tyre atje dhe është absolutisht e respektueshme. Por këta nuk kanë lidhje me diplomacinë.

Dhe këta prapë janë bërë pjesë e shërbimit të jashtëm nëpërmjet këtyre emërimeve arbitrare, në kundërshtim, e theksoj, këto emërime janë të tëra në kundërshtim me ligjin.

Ndiqni intervistën e plotë: