PROBLEMI ME DREJTËSINË/ Kushi: Ngërçi për pezullimin e anëtarëve të qeverisë duhet zgjidhur me ligj
Në emisionin “Drejt” në OraNews ishte e ftuar deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi, e cila foli për reformën në drejtësi dhe situatën e krijuar mes institucioneve në rastin e fundit të pezullimit të zv.Kryeministres Balluku.
Kushi e paraqiti reformën në drejtësi si një proces politik që u bë realitet falë vullnetit të mazhorancës, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, SHBA dhe Bashkimit Europian.
Sipas saj, reforma vazhdon të funksionojë sepse mazhoranca e mban të palëkundur mbështetjen ndaj institucioneve të drejtësisë dhe nuk tërhiqet nga angazhimi për pavarësinë e tyre.
Në diskutimin në studio u pranua se asnjë reformë nuk mund të parashikojë në detaje të gjitha problematikat që shfaqen gjatë zbatimit.
Në këtë kuadër, u soll në vëmendje ngërçi institucional i krijuar së fundmi në lidhje me pezullimin e një anëtari të qeverisë, si një situatë që ka nxjerrë në pah nevojën për sqarime dhe balancim më të qartë mes pushteteve.
Sipas argumentimit të paraqitur, Kushtetuta garanton ndarjen dhe balancën e pushteteve, ndërsa situata e krijuar ka treguar boshllëqe interpretimi që kërkojnë zgjidhje institucionale.

Për këtë arsye, çështja është dërguar në Gjykatën Kushtetuese me synimin për të marrë një interpretim përfundimtar dhe për të shmangur ngërçe të ngjashme në të ardhmen.
“Tani, sigurisht kur e harton një reformë nuk mund ta parashikosh, edhe për më tepër në afatgjatë se çfarë problematikash mund të sjelli rrugës.
Por ne mund t'i referohemi rastit më të fundit, që besoj është dhe tema më aktuale, ngërçi që u krijua mbi pezullimin e një anëtari të qeverisë. Këshillit të ministrave, po. Dhe pikërisht ky është ngërçi, ky është problemi që ne mendojmë që duhet të zgjidhur nga ana ligjore, sepse kushtetuta garanton balancën e pushteteve dhe pavarësinë e pushteteve, ndërkohë që situata e krijuar dhe për më tepër ne e adresuam edhe në Gjykatën Kushtetuese pikërisht për të zgjidhur këtë ngërç.
Dhe pikërisht ky është një ngërç që ne besojmë që duhet ta, duhet ta zgjidhim. Dhe në qoftë se do të bëhet një ndryshim ligjor, në qoftë se do të bëhen ndryshime ligjore për ta zgjidhur këtë ngërç, është sigurisht për të garantuar më mirë funksionimin e reformës në drejtësi.
Nuk po themi për ta zhbërë, po për ta përmirësuar. Pra, në këtë rast nuk është një ligj nga e para.
Kryeministri bashkë me Ministren e Arsimit zhvilluan një takim me konferencën e rektorëve dhe aty u deklarua që pas 10 vitesh, ligji i arsimit të lartë ka nevojë për t'u rishikuar, sepse sigurisht që gjatë zbatimit mund të ketë sjellë problematika, po ndërkohë edhe pas 10 vitesh sot jemi në një kontekst të ri, në një aktualitet të ri. Sot kemi, për shembull, inteligjencën artificiale, kemi ndërkombëtarizimin e universiteteve, të cilat duhet të integrohen tek ligji. Kështu që nuk bëhet fjalë për një ligj nga e para, po bëhet fjalë vetëm për të përmirësuar apo për të korrigjuar ato problematika që janë shfaqur gjatë zbatimit”, u shpreh ndër të tjera Evis Kushi.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “DREJT” NË “ORA NEWS”

