Sala: Qendra shëndetësore tek “Irfan Tomini” është transferuar, do të garantohen kushtet e sigurisë
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala deklaroi sot nga seanca plenare në Kuvend, se pezullimi i aktivitetit i qendrës shëndetësore 8/3 në Tiranë tek rruga “Irfan Tomini” ka ardhur pas akt-ekspertizës teknike nga Instituti i Ndërtimit, që e ka klasifikuar këtë objekt publik si të pasigurt nga ana strukturore.
Në përgjigje të shqetësimit dhe pyetjeve të ngritura nga deputeti socialist Erion Braçe, lidhur me pezullimin e aktivitetit shëndetësor në këtë qendër, Sala tha se sipas kësaj ekspertize, godina e qendrës shëndetësore Nr.8/3 nuk garanton kushtet minimale të sigurisë për vijimin e aktivitetit shëndetësor.
“Është rekomanduar ndërprerja e menjëhershme e përkohshme e shërbimeve në këtë ambient dhe rifillimi vetëm pas marrjes së masave teknike dhe ndërtimore. Siguria strukturore është parakushti për ofrimin e shërbimit shëndetësor publik”, tha Sala.
Ministrja Sala nënvizoi se komunitetit i është garantuar vazhdimësia e shërbimit shëndetësor dhe që prej muajit shtator 2025 të gjithë shërbimet për banorët që marrin shërbim në qendrën shëndetësore Nr. 8/3 janë transferuar në mënyrë të përkohshme në qendrën ambulatore “Vasil Shanto”.
“Të dhënat tregojnë se vizitat mjekësore, shërbimet për fëmijët dhe të rriturit dhe procedurat infermierore kanë vijuar pa rënie të volumit. Para transferimit kjo pikë u shërbente rreth 15 957 qytetarëve, pas transferimit shërbimin e marrin rreth 15 960 qytetarë. Shërbimet pediatrike 0-18 vjeç i janë ofruar 12 563 pacientëve, ndërsa shërbime mbi 18 vjeç u janë dhënë 3394 pacientëve”, vijoi ajo.
“Për vitin 2025, sistemi e-Vizita ka një shifër prej 119 mijë vizita ose 9900 të illa për çdo muaj. Janari 2026 numëron rreth 11 mijë vizita që tregon një trend normal funksionimi të qendrës”, tha Sala.
Ministrja Sala shtoi se “stafi mjekësor dhe infermieror ka qenë në gatishmëri edhe për ofrimin e shërbimit në banesë, për kategoritë më vulnerbël. Pacientët kronikë janë pajisur me mjekime deri në 6 muaj duke shmangur nevojën për paraqitje në strukturën shëndetësore”.
“OSHKSH ka punuar për identifikimin e zgjidhjeve alternative pranë zonës në fjalë. Zgjidhje afatgjatë është rikonstruksioni i godinës ekzistuese dhe në këtë kuadër MSHMS e ka përcaktuar qendrën shëndetësore Nr. 8/3 si prioritare për rikonstruksion gjatë vitit 2026”, përfundoi Sala.

