Prokuroria e Përgjithshme: Gjyqtarja Irena Gjoka, e dënuar! Reagon KLGJ: Ende s'na ka ardhur shkresa e prokurorisë

Pas një hetimi administrativ që zgjati rreth 20 muaj, Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se ka përfunduar verifikimin e thelluar për pastërtinë e figurës së gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, GJKKO, Irena Gjoka, por rezultatin e verifikimit e mbajti të fshehtë. Verifikimi nisi pas akuzave se Gjoka ishte dënuar në Greqi.

Prokuroria bëri me dije se sektori i Dekriminalizimit ia ka dërguar zyrtarisht më datë 19 janar 2026 rezultatet e këtij verifikimi pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGj, i cili duhet të interpretojë rezultatet e gjetjeve.

“Pas kryerjes së të gjitha verifikimeve të mundshme brenda dhe jashtë vendit, më datë 19.01.2026, Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur miratimin e rezultateve të verifikimit, vendim të cilin po këtë datë ja ka përcjellë Këshillit të Lartë Gjyqësor si organ përgjegjës për verifikimin e kushteve të ndalimit”, thuhej në njoftimin për shtyp të Prokurorisë së Përgjithshme. 

KLGj do të duhet të shqyrtojë nëse gjetjet e Prokurorisë përbëjnë kusht ndalimi për ushtrimin e funksionit publik, bazuar në ligjin nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Por sot në mbrëmje KLGJ informon se nuk ka mbërritur asnjë dokument zyrtar

"Te nderuar kolege lidhur me njoftimin e sotem te Prokurorise se Pergjithshme lidhur me vendimin e miratimit te rezultateve te verifikimit te thelluar te deklarimeve te bera ne Formularin e Vetedeklarimit date 22.04.2016, per subjektin Irena Gjoka(Shpata, Maneku), gjyqtare në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ju bej me dije se deri ne oren 20:30 date 20.01.2026 ne adrese te KLGJ-se nuk ka mberritur asnje dokument zyrtar. Sapo shkresa e Prokurorise se Pergjithshme te mberrije zyrtarisht, ajo do te administrohet nga Komisioni i Zhvillimit te Karieres ne KLGJ, dhe me pas do te ndiqet procedura perkatese ligjore."