DH*NA ONLINE, GJOBA RRJETEVE SOCIALE/ Pr/ligji: Ofruesi i shërbimit online i detyruar të zbatojë vendimin e gjykatës brenda 24 orëve

Projektligji i ri për dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje parashikon masa të forta ndaj platformave online që nuk zbatojnë vendimet gjyqësore për heqjen e përmbajtjeve të dhunshme. Nisma synon të forcojë mbrojtjen e viktimave në hapësirën digjitale, por pritet të shoqërohet me debat parlamentar.

Rrjetet sociale në Shqipëri pritet të përballen me gjoba në rast se nuk heqin brenda 24 orëve postimet që vlerësohen si një formë e dhunës online.

Ky është një nga pikat e kryesore që përmban projektligji i ri për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje. Në draftin e depozituar për diksutim në Kuvend,  për herë të parë përfshinë në mënyrë të qartë edhe dhunën e lehtësuar nga teknologjia, të shfaqur përmes rrjeteve sociale, mediave online dhe platformave digjitale.

Sipas projektligjit, dhuna në mjediset digjitale trajtohet si pjesë integrale e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, duke përfshirë forma si kërcënimet online, përndjekjen digjitale, publikimin pa pëlqim të përmbajtjeve denigruese apo nxitjen e urrejtjes përmes platformave elektronike.

Një nga risitë kryesore lidhet me nenin 20, pika 2 ku përcaktohen detyrimet e ofruesve të shërbimeve online. Në rast se gjykata vendos masa mbrojtëse ndaj dhunës së lehtësuar nga teknologjia, pra nëse urdhëron heqjen e një atikulli, komenti apo përmbajtjeje të caktuar këto masa duhet të zbatohen pa vonesa.

Projektligji parashikon se, nëse këto vendime gjyqësore nuk zbatohen, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka të drejtë të vendos gjoba administrative nga 50,000 deri në 500,000 lekë për cdo 24 orë vonesë.

Qëllimi i këtij parashikimi ligjior, sipas nismës është të garantojë zbatimin efektiv të vendimeve gjyqësore dhe të rrisë mbrojtjen e viktimave në hapsirën digjitale, aty ku dhuna shpesh është e shpejtë, e përhapur dhe me pasoja të rënda psikologjike.

Projektligji pritet të ngjallë debat në kuvend kur të kaloj në diskutim dhe miratim, në lidhje me balancën mes mbrojtjes nga dhuna digjitale dhe lirisë së shprehjes, si dhe rolin e mediave dhe platformave online në zbatimin e masave të vendosura nga gjykata.