Berisha: Rama kushtëzon me Fierin, po bën pazar me statusin

Kur kanë mbetur dhe 4 ditë nga 10 tetori, datë kjo kur do të publikohet dhe raport-progresi për marrjen e statusit kanditat për në BE, kryeministri Berisha i ka bërë thirrje kreut të PS Edi Rama të mos bllokoje ëndrrën europiane të shqiptarëve. Teksa i ka kujtuar numrit një të selisë rozë se ka tre vjet që po shkelmon me këmbë integrimin, Berisha ka akuzuar Ramën se edhe në këtë moment vendimtar po kushtezon statusin me qarkun e Fierit.“Jemi në prag të një evenimenti të madh për Shqipërinë, jemi pranë ëndrrës evropiane. Ka tre vjet që kreu i PS, Edi Rama pengon procesin e integrimit, marrjen e statusit të BE. Kreu i PS për statusin e BE kërkon si shkëmbim qarkun e Fierit. I them Ramës të mos bllokojë, pasi zgjedhjet po afrojnë. Është mirë t`u japë alternative shqiptarëve dhe të mos bllokojë proceset integruese” u shpreh ai.Këto deklara kreu i qeverisë i bëri gjatë pjesmarrjes në “Panairin e mollëve”, një panair tradicional që zhvillohet në fshatin Mollaj të Korçës. Berisha ka garantuar fermerët se Qeveria në mandatin e ardhshëm do të bëjë gjithçka që prodhimet e tyre të shtohen. “Mandati i ri i qeverisë, do të jetë mandati i Shqipërisë rurale. Do të bëjmë gjithçka që të shfrytëzohet çdo pëllëmbë tokë për begatinë tuaj. Do të bëjmë gjithçka që Shqipëria të jetë në grupin e vendeve me të ardhura të larta” ka thënë Kryeministri.