SOCIALISTËT NISIN VITIN E RI/ Kryeministri Rama mbledh Këshillin e ministrave në orën 10:00 ditën e sotme
Vetëm disa orë para mbledhjes analizë të qeverisë së thirrur nga kryeministri Edi Rama, drejtues politike të PS në qarqe, ministra dhe përfaqësues të lartë socialist patën një takim në selinë rozë.
Mbledhja u drejtua nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, dhe sipas burimeve ku u diskutua organizimi i partisë, e përgjegjësitë e secilit drejtues.
Në takim ishin të pranishëm njëherësh edhe kryetari i Parlamentit Niko Peleshi, kreu i grupit Taulant Balla, Sekretari Organizativ Damian Gjiknuri, kryebashkiaku Benet Beci si dhe disa emra të kabinetit si Mirela Kumbaro, Adea Pirdeni, Ervin Demo, Niko Peleshi, Orgerta Manastirliu apo Bledi Çuçi.
Vetë kryesocialisti Edi Rama, nuk ishte i pranishëm në këtë mbledhje.
Ky i fundit mbledh këtë të premte në një takim të parë analizues, këshillin e ministrave. Takimi në fjalë mbahet në Pallatin e Brigadave duke nisur nga ora 10:00, teksa në qendër të diskutimeve do të jetë puna e bërë nga secili dikaster, përmbushja e objektivave të ndërmarra, si dhe rishikimi i tyre për vitin 2026.
Takimi në fjalë do të zgjasë vetëm një ditë, ndërsa ndërsa do të vendosen piketat për secilin dikaster dhe drejtuesit e tyre, teksa ky vit është ndër më të rëndësishmit, përsa i përket ecurisë së integrimit europian. Nisja e mbylljes së kapitujve për të përfunduar brenda vitit që vjen është qëllimi primar i qeverisë Rama 4, e për këtë do të duhet më shumë përgjegjësi.
Nga ana tjetër socialistët do të mbledhin grupin parlamentar, më 16 janar, mbledhje e cila vjen në prag të nisjes së sesionit të ri, i parashikuar për datën 19 janar. Në këtë mbledhje ndër të tjera pritet të diskutohet edhe qëndrimi që socialistët do të mbajnë ndaj kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendës Kryeministres Belinda Balluku. Vetë kryeministri është shprehur se nuk do të ketë shqyrtim të asnjë kërkese, pa shqyrtimin e vendimit të mëparshëm për pezullimin nga detyra e ministres dhe zëvendëskryeministres. Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë këtë çështje me 22 janar.
