Përmbytjet, Rama mbledh Komitetin e Emergjencave Civile: Njerëzit nuk kanë nevojë për shpifje! Lumenjtë nuk kthehen në shtrat me protesta

 

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot Komitetin e Emergjencave. Mbledhja nisi në orën 08:30, ndërsa në të do të diskutohet në lidhje me masat për të përballuar situatën nga përmbytjet që kanë prekur vendin ditët e fundit.

Në mbledhje do të diskutohen masat dhe plani për dëmshpërblimin e banorëve të prekur nga përmbytjet.

Në fjalën e tij Rama u shpreh se, këto kanë qenë ditë të lodhshme dhe të mundimshme për të gjithë.

“Kanë qenë shumë të mundimshme, qoftë për ato familje që kanë përjetuar praninë e ujit në shtëpi, qoftë për të gjithë shërbëtorët e shtetit që kanë qëndruar ditë e natë në krye të detyrës për përballimin e kësaj emergjence natyrore. Të gjithë i ka lodhur ky shi i gjatë dhe i ftohtë i madh, ku nga pamjet e rrugëve të përmbytura, shtëpive të dëmtuara apo punëve të ndërprera, te vështirësia e rritur e qarkullimit e deri te dëmtimet e pronës dhe humbjet e gjësë së gjallë, krijohet stres, frustrim dhe në disa raste edhe zemërim”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se durimi është i domosdoshëm në kushte të tilla, duke shtuar se ajo që po përjetohet nuk është thjesht mot i keq.

“Shiu nuk ndalet me shpifje, si ato se nuk punojnë hidrovoret. Lumenjtë nuk kthehen në shtrat me protesta që nuk kanë lidhje fare me arsyen pse përmbyten shtëpitë e ndërtuara në territore shumë vulnerabël. Retë nuk shpërndahen me slogane, si ai slogani kronik që në çdo gjendje atmosferike të rënduar të shpallet gjendja e jashtëzakonshme”, tha Rama.

Sipas kreut të qeverisë, “këto janë reagime që ushqejnë nervozizëm, jo zgjidhje; ushqejnë ndarje, jo ndihmë; ushqejnë çoroditje, jo siguri. Në një situatë si kjo nuk kërkohen fajtorë imagjinarë, por ndihmohen njerëzit realë”.

“Njerëzit nuk kanë nevojë për më shumë britma, shpifje dhe teori konspiracioni, por për më shumë solidaritet, mbështetje dhe bashkim forcash”, tha Rama.

SITUATA ATMOSFERIKE

Rama u shpreh se bëhet fjalë për një gjendje atmosferike të zgjatur dhe të rëndë, e cila nuk ka prekur vetëm Shqipërinë dhe nuk lidhet me arsye të brendshme apo debate politiko-mediatike.

“Kjo gjendje nuk ka prekur Shqipërinë për ndonjë arsye që lidhet me vendin tonë apo me ato arsyet që ziejnë në 700 tenxheret politiko-mediatike në mjedisin shqiptar. Ajo ka prekur një hartë të tërë, nga Italia në Greqi, nga Mali i Zi në Kosovë, deri në Serbi e Kroaci, nga Maqedonia e Veriut e deri në Turqi, ku i njëjti i ftohtë, i njëjti shi, e njëjta dëborë dhe të njëjtat përmbytje e bllokime kanë krijuar një situatë të rënduar për njerëzit”, tha Rama.

Kryeministri shpjegoi se një masë ajri i ftohtë nga veriu është përplasur me ajër të ngrohtë dhe të lagësht nga Mesdheu, duke krijuar një vorbull atmosferike mbi Evropën Juglindore, e cila ka sjellë reshje të vazhdueshme dhe temperatura shumë të ulëta.

“Për këtë arsye lumenjtë rriten sërish para se të bien, toka mbetet e ngopur me ujë dhe reshjet e shiut dhe të dëborës marrin përmasa krejtësisht anormale”, u shpreh Rama.

Rama theksoi se ndryshimi klimatik nuk do të thotë vetëm vera më të nxehta, por edhe stinë të çrregullta, sisteme atmosferike më të ngadalta dhe më të paparashikueshme, si dhe mot gjithnjë e më ekstrem dhe këmbëngulës në ekstremitetin e tij.

“Më shumë thatësira dhe më shumë zjarre, më shumë vorbulla atmosferike dhe më shumë përmbytje, ky është tashmë kuadrati i ri i klimës ku jetojmë, e cila nuk është më klima me të cilën jemi rritur”, theksoi Kryeministri.

Në këtë kontekst, Rama theksoi se sjelljet e papërgjegjshme njerëzore e përkeqësojnë më tej situatën.

“Kur vazhdojmë t’i hedhim mbeturinat rrugëve ose kur vazhdojmë t’u vëmë zjarrin pyjeve, pasojat e këtij ndryshimi klimatik rëndohen edhe më shumë, ashtu siç ndodhi në Shkozet dhe jo vetëm, ku prurjet marramendëse të plastikës të mbledhura nga lumenjtë e dalë nga shtrati bllokuan kanalet e mëdha kulluese”, u shpreh Rama.

BILANCI

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se deri tani në rang vendi regjistrohen 1587 banesa në praninë e uji, ndërsa janë evakuuar 339 persona dhe 51 familje.

Në mbledhjen e Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile, kryeministri Rama bëri një përditësim të situatës së krijuar nga moti shumë i keq i ditëve të fundit, si pasojë e nivelit tejet të lartë të reshjeve të shiut.

“Aktualisht në gjithë vendin janë ulur sasitë e reshjeve të matura, përjashtuar Durrësin ku janë regjistruar 41 mm shi. Një punonjës i bashkisë së Durrësit është gjendur i mbytur. Deri tani janë numëruar në rang vendi 1587 banesa në praninë e ujit. Janë evakuuar 339 persona dhe 51 familje”, tha Rama.

Po ashtu, kryeministri theksoi se prani uji është konstatuar në 13 211 ha tokë bujqësore, një pjesë janë përmbytur.

“Kemi prani uji edhe në disa qendra shëndetësore apo objekte arsimore. Sasia e reshjeve ka qenë e jashtëzakonshme deri në 300 mm ose përndryshe më shumë se sa sasia mesatare e reshjeve që bien gjatë gjithë muajit. Pra, reshjet 30-ditore mesatare të muajit kanë rënë për një periudhë 3 apo 4 ditore”, tha Rama.

Ky fenomen, sipas tij, vjen si rezultat i ndryshimit të klimës dhe po bëhet gjithnjë e më pak i papritur në mbarë botën.

Përmbytjet, Rama mbledh Komitetin e Emergjencave Civile: Njerëzit nuk

“Për shembull në disa zona të ultësirës perëndimore sasia e reshjeve në këto 4-5 ditë ka qenë rreth 25% ose sa çereku i sasisë vjetore të tyre në mesatare. Si pasojë e rritjes së këtyre prurjeve në rrjetet ujore, në kanalet e ujërave të larta, kolektorë kryesorë kullues, përrenjtë malorë dhe vetë lumenjtë e vendit ka ardhur si pasojë përmbytja”, tha Kryeministri.

Rama theksoi se kjo ka ndodhur pavarësisht infrastrukturës gjerësisht të ripërtërirë të mbrojtjes ujore si rezultat i investimeve të vazhdueshme të dekadës së fundit.

Prej katër ditësh disa qarqe në vend po përballen me situatë alarmante. Ndërkohë dje janë bërë evakuime për banorët në Novoselë, Vlorë e Fier si dhe në Sukth dhe Katund të Ri në Durrës.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se evakuimi do të realizohej përmes koordinimit me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefektin e Qarkut Fier dhe strukturat e Emergjencave Civile në bashki.