VIDEO/ Xhixho: Zjarri te "5 Maji", neglizhencë shtetërore! Të dëmshpërblehen tregtarët

Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me zjarrin e mbrëmshëm në tregun e lagjes “5 Maji”, duke e cilësuar ngjarjen jo si një aksident të rastësishëm, por si pasojë të drejtpërdrejtë të politikave të gabuara qeveritare.

Sipas Xhixhos, zjarri është rezultat i braktisjes së tregtarëve, mungesës së përgjegjësisë institucionale dhe shkatërrimit sistematik të jetesës së qytetarëve në emër të betonit dhe interesave klienteliste.

Ajo thekson se neglizhenca dhe mosndërhyrja në kohë me të gjitha mjetet e nevojshme janë tregues të indiferencës së qeverisë ndaj problemeve madhore të qytetarëve.

Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë ngarkon me përgjegjësi të plotë politike dhe morale Qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës, duke theksuar se heshtja dhe justifikimet nuk mjaftojnë.

Ajo kërkon transparencë të plotë për shkaqet e zjarrit, dëmshpërblim të menjëhershëm për tregtarët e prekur dhe ndalimin e politikës së zhdukjes së tregjeve dhe biznesit të vogël për t’i hapur rrugë interesave oligarkike.

Postimi i plotë:

Zjarri në tregun “5 Maji” nuk është thjesht një ngjarje aksidentale. Është pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të papërgjegjshme, të braktisjes totale të tregtarëve dhe të shkatërrimit sistematik të jetesës së qytetarëve në emër të betonit dhe interesave klienteliste.

Neglizhenca dhe mosndërhyrja në kohë, me të gjitha mjetet, është tregues i indiferencës që e karakterizon këtë qeveri në raport me problemet madhore të qytetarëve.

Sot, përveçse u dogjën stendat dhe malli, u dogj edhe mundi i familjeve që jetojnë nga puna e ndershme.

Qeveria dhe Bashkia e Tiranës kanë përgjegjësi të plotë politike dhe morale. Heshtja dhe justifikimet nuk mjaftojnë. Duhet transparencë e plotë për shkaqet e zjarrit, dëmshpërblim i menjëhershëm për tregtarët dhe fundi i politikës së zhdukjes së tregjeve dhe biznesit të vogël për t’i hapur rrugë oligarkëve.