Adoleshentët pa rrjete sociale/ Demiri: Ky ligj mund të funksionojë dhe në Shqipëri, do të parandalonte rreziqet tek të miturit

Eksperti i IT-së, Erion Demiri, në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News" shprehu mbështetjen e tij për një ligj të ngjashëm në Shqipëri si ai në Australi, duke theksuar se rregullimi i moshës së përdoruesve në platformat sociale mund të ndihmojë në mbrojtjen e të rinjve dhe në ndërgjegjësimin e popullsisë.

"Për të bërë një ligj të tillë nuk është e vështirë sepse faktikisht nuk kërkohen as kosto të larta nga institucioonet dhe shteti. Vendet e vogla si Shqipëria nuk kanë pse shpikin, mund të marrin shembull nga ata që janë më të mëdhenj dhe më të avancuar.

Unë e sugjeroj. Bëjmë vazhdimisht takime me institucionet e BE-së. Rinia shqiptare duke pasur dhe ngjarje të rënda e problematikën e madhe të humbjes së kohës dhe fokusit në mësime e në gjithçka tjetër, unë jam pro i një ligji të tillë si në Australi.

Jam kundër asaj që ndodhi në Shqipëri sepse nuk ishte rruga e duhur dhe u pa që nuk funksionoi. Ndërsa për këtë pjesë mendoj se ka të gjitha gjasat për të funksionuar dhe sigurisht sjell sensibilizimin e përgjithshëm të të gjithë popullatës dhe jo vetëm një media sociale specifike por drejt faktit që një moshë e re që është e paformuar ende, ka nevojë për shumë më tepër sesa humbja e kohës dhe përballja me rreziqe që rrjetet sociale fatkeqësisht kanë sjell", u shpreh Demiri.