Nis “Zgjedhorja”, Gjiknuri: Jo çdo gjë që mund të kërkojë opozita mund të hidhet në Kodin e ri

Nën drejtimin e dy bashkëkryetarëve, Damian Gjiknuri nga Partia Socialiste dhe Oerd Bylykbashi nga Partia Demokratike u mblodh sot Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore.

Në rend të ditës së mbledhjes së sotme ishte konstituimi i Komisionit.

Bashkëkryetari i komisionit, Damian Gjiknuri u shpreh në nisje të mbledhjes se ky komision është ngritur me konsensusin e të gjitha forcave politike dhe me pjesëmarrjen e të gjithë partive politike të përfaqësuara në parlament.

“Pavarësisht se dhe ndonjë parti nuk ka sjellë anëtarët e tyre në këtë komision, vendi i tyre është i garantuar, por gjithashtu ky komision mundëson që çdo anëtar i parlamentit i zgjedhur nga një forcë që edhe mund të mos jetë e përfaqësuar në Komisionin e Reformës Zgjedhore ka të drejtë të marrë pjesë në zhvillimet e saj, ka të drejtë të marrë fjalën njësoj si anëtarët e tjerë, ka të drejtë të propozojë projektligje, propozime të tjera që lidhen me punën e këtij komisioni, njësoj sikur të ishte anëtar me të drejta të plot të këtij komisioni”, theksoi Gjiknuri.

Nis “Zgjedhorja”, Gjiknuri: Jo çdo gjë që mund

Gjiknuri theksoi se detyra kryesore e komisionit është adresimi i rekomandimeve të OSB/ODIHR-it për sa i përket zgjedhjeve.

“Detyra që na ka vënë Kuvendi është që ky komision në radhë të parë duhet të udhëhiqet nga parimi, adresimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për sa i përket zgjedhjeve”, tha ai.

Gjiknuri theksoi se janë disa rekomandime kryesore si depolitizimi i administratës zgjedhore, përmirësimi i klimës zgjedhore, një fushatë më e ndershme dhe më e barabartë për të gjitha palët.

PS dhe PD bashkuan votat në parlament për të ngritur komisionin, i cili do të përfshijë të gjitha partitë. 7 anëtarë do të ketë PS, 5 PD, 1 PSD, 1 Partia Republikane, 1 Partia e Lirisë, 1 Mundësia. Lëvizja Bashkë dhe Shqipëria Bëhet mund të sjellin deputetët për diskutime, por pa të drejtë vote. Komisioni do të bashkëdrejtohet nga Damian Gjiknuri nga socialistët me Oerd Bylykbashin nga PD.

Reforma Zgjedhore ka qenë një kërkesë e vazhdueshme nga ndërkombëtarët dhe u theksua edhe në raportin final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit si dhe në progres raportin e BE për Shqipërinë. Edhe ambasadori i BE, Silvio Gonzato e ka konsideruar reformën si një hap kyç drejt integrimit.