Dhuli: Databaza e INSTAT, rritje prej 32% të numrit të të dhënave

Drejtoresha e Përgjithshme e Institutit të Statistikave, Elsa Dhuli u shpreh sot se Shqipëria ka treguar progres në rritjen e numrit të të dhënave, cilësinë dhe zgjerimin e gamës së informacionit që merret nga ky institut. Drejtuesja e INSTAT, e bëri këtë deklaratë gjatë prezantimit të raportit të veprimtarisë së këtij institucioni në Kuvend për vitin 2024.

Dhuli tha se sistemi kombëtar statistikor është angazhuar në realizmin e objektivave 2022-2026 të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë. Sipas saj, nga sfidat kryesore që ka INSTAT dhe agjencistë statistikore, veçohet hapja e negociatave për kapitullin 18, “Statistikat”.

“Publikimi i rezultateve finale të censit të banesave dhe popullsisë të vitit 2023 si në nivel kombëtar dhe lokal brenda një kohe të shkurtër u vlerësua edhe në raportprogresin e Komisionit Evropian për vitin 2024. Të dhënat e censit i ofruan Qeverisë, kërkuesve shkencorë, medieve, informacione të detajuara mbi ndryshimet demografike, treguesit socialë dhe ekonomikë, kushtet e jetesës dhe banimit dhe shërbyen për hartimin e strategjive të qëndrueshme për planifikim të shkollave, spitaleve, apo njësive të tjera të shërbimit”, tha Dhuli.

“Këto dy sfida u përballën me sukses, pavarësisht ngadalësimit të veprimtarisë së brendshme të INSTAT, për shkak të sulmit kibernetik në shkurt të 2024. Viti 2024 shënoi edhe 100-vjetorin e statistikave zyrtare, ndërsa është punuar për të ofruar qëndrueshmëri në zbatimin e paanshmërisë dhe ruajtjen e të dhënave”, vijoi ajo.

Dhuli theksoi se janë zbatuar tre rekomandime që kishin të bënin me përpunimin cilësor të të dhënave të censit, forcimin e bashkëpunimit mes INSTAT dhe AKSK dhe vendosjen në eficiencë të plotë të faqes së INSTAT.

Drejtuesja e INSTAT, cilësoi se sistemi kombëtar statistikor u zgjerua me një agjenci duke bërë pjesë të tij edhe Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore për Prodhimin e Statistikave për burimet energjetike në vend.

“INSTAT bashkëpunon me 22 institucione, unversitete, qëndra studimore etj. Shqipëria është pjesë e databazës së madhe evropiane. Viti 2024 shënoi një rritje pozitive prej 32% të numrit të të dhënave në këtë dabazë. 7 milionë datapoint nga 5.3 milionë që ishin. Kjo rritje e ndjeshme tregon prezencën e Shqipërisë krahas vendeve evropiane në fushën e mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave”, pohoi Dhuli, ndërsa theksoi se  është realizuar në masën 37% grumbullimi me mjete elektronike i të dhënave.