''I dhashë ilaçet pa para  sepse shëndeti nuk pret'', rrëfimi prekës i farmacistes Flutura Dega

Farmacistja Flutura Dega, e ftuar në emisionin “Epiqendër” të moderatores Sonila Musai, tregoi një histori prekëse nga përditshmëria e saj profesionale, ku shpesh përballet me pacientë që nuk kanë mundësi të blejnë ilaçet e nevojshme për trajtimin e sëmundjeve të rënda.

Në fjalën e saj, Dega tha se ka pasur raste kur familjarët e pacientëve me kancer janë paraqitur në farmaci pa mundësi financiare për të blerë mjekimin, dhe ajo ka zgjedhur t’i ndihmojë  “Kam pasur rast më parë që një familjar erdhi të merrte mjekim për një të afërm me kancer.

Nuk kishte lekë, dhe unë ia dhashë ilaçet me të njëjtin çmim që i kisha marrë vetë.

Nuk fitova asgjë, por më e rëndësishme ishte ta ndihmoja,” – u shpreh farmacistja.

Ajo shtoi se situata ekonomike po bëhet çdo ditë e më e rëndë për shumë familje, të cilat nuk arrijnë të përballojnë as shpenzimet për shëndetin.