Avokatja e Popullit: Harta e re gjyqësore po dëmton të drejtat e fëmijëve

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, ka kritikuar reformën në sistemin gjyqësor, duke theksuar se harta e re gjyqësore ka ndikuar negativisht në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

“Do doja të kishim bërë më shumë analiza, por nuk kemi kapacitete. Në raportin që ju kemi dorëzuar vitin e kaluar, kemi bërë një analizë në lidhje me eficencën e hartës së re gjyqësore në të drejtat e fëmijëve, duke e marrë në interesin më të lartë të fëmijëve, në procese të lidhura me divorcet e prindërve dhe pagesat e detyrueshme ushqimore, dhe ajo që ne kemi vënë re është që harta e re gjyqësore, e gjithë reforma në fakt, por në veçanti harta e re gjyqësore, ka përkeqësuar ndjeshëm adresimin e çështjes së interesit më të lartë të fëmijëve.

Ne kemi qenë kundër hartës së re gjyqësore dhe e kemi shprehur edhe në Gjykatë Kushtetuese. Ulja e numrit të gjykatave nuk e përmirëson asnjë rast shërbimin e drejtësisë dhe as perceptimin e drejtësisë.”, tha Ballanca.

Më pas Avokatja e Popullit shtoi se: “Është evidente, e provuar se numri i çështjeve vitin e kaluar është ulur. Pra qytetarët nuk shkojnë më në gjykata, ndoshta për shkak të largësisë, ndoshta për shkak të besimit.”