Atentati fatal ndaj Agustin Kazës në Bruksel, dalin PAMJET e autorit të dyshuar, policia belge nis kërkimet

Hetimet për vrasjen e rëndë që ndodhi më 28 prill 2024 në lagjen Schaerbeek të Brukselit vijojnë me intensitet, ndërsa zyra e prokurorit publik të Brukselit ka lëshuar një urdhër të tretë kërkimi për të identifikuar një tjetër person të dyshuar të përfshirë në ngjarje.

Viktima, Agustin Kaza, një shtetas shqiptar 44-vjeç, u qëllua me armë zjarri ndërsa ishte ulur në tarracën e kafenesë “Xhoni” në Rue Joseph Brand.

Ai u godit në gjoks dhe kokë dhe, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ndërroi jetë në spital më 6 maj 2024. Sipas burimeve të medias belge Sudinfo, ngjarja dyshohet të jetë pjesë e një larjeje hesapesh.

Atentati fatal ndaj Agustin Kazës në Bruksel, dalin PAMJET e autorit

Pas publikimit të pamjeve të autorit të dyshuar të krimit në maj të këtij viti – një person me kostum të errët me vijë të kuqe, logo të bardhë në gjoks, kapuç dhe kapelë, që u largua në këmbë duke çaluar drejt Rue Ernest Laude – autoritetet belge lëshuan më vonë dhe një urdhër kërkimi për një person të dytë.

Ky ishte përshkruar si një burrë rreth 1.80 metra i gjatë, me fytyrë të dobët, flokë të errët, mustaqe, i veshur me xhaketë të zezë me kapuç dhe xhinse gri të errëta.

Së fundmi, hetuesit janë në kërkim të personit të tretë, i cili përshkruhet si me trup të shëndoshë, i veshur me bluzë me kapuç të zi, kapelë të zezë, dhe xhinse gri të errëta. Roli i tij i saktë në ngjarje nuk është bërë ende publik.

Policia belge u bëri thirrje qytetarëve që kanë informacione rreth kësaj ngjarjeje apo identitetit të personit të tretë të kontaktojnë menjëherë autoritetet.

Kush është Agustin Kaza?

Atentati fatal ndaj Agustin Kazës në Bruksel, dalin PAMJET e autorit

Atentati ndaj tij dyshohet se ka ndodhur për shkak të hakmarrjes. Agustin Kaza është vëllai i Martin Kazës, dënuar për vrasjen e dy vëllezërve më datë 3 korrik 1997 në Mirditë.

Martin Kaza është dënuar me 22 vite burg për vrasjen e vëllezërve Dodë dhe Agustin Gjini, që dyshohet se ia kishin vrarë vëllanë. Ai u ekstradua nga Britania e Madhe në Shqipëri në dhjetor të vitit 2017.

Historia e gjakmarrjes mes dy fiseve

Më datë 7 janar 1994 Rrësheni u trondit nga vrasja e shefit të Krimeve, Ndue Kaza. Ai u qëllua me armë zjarri në mes të qytetit nga Dod Gjini, i cili u largua nga vendngjarja. Shtypi i kohës raportonte se vrasja ka ndodhur, pasi shefi i krimeve ndërhyri për të shmangur përshkallëzimin e një konflikti mes dy grupeve rivale.

Por, tre ditë më vonë, pa u arritur që autorët të arrestohen dhe familjet të pajtohen, në Laç, vëllai i komisarit mori hak, duke vrarë dy vëllezërit Dod dhe Agustin Gjini. Ngjarja ndodhi gjatë ditës së 3 korrikut 1997.

Dëshmitarët kanë thënë se në atentat kanë marrë pjesë dy persona. Pas 4 vitesh, Gjykata në Kurbin e shpalli fajtor në mungesë Martin Kazën, duke e dënuar me 22 vite burg./ Balkanweb