Aksident pranë Portit të Jahteve në Orikum, makina përmbyset në mes të rrugës
Një aksident rrugor është regjistruar paraditen e sotme pranë Portit të Jahteve në Orikum, ku një automjet tip Audi A3 ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në mes të karrexhatës.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, mjeti ka humbur kontrollin në rrethana ende të paqarta, duke krijuar panik te qytetarët që ndodheshin aty pranë, për shkak të zhurmës dhe mënyrës së përmbysjes.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje ka mbërritur ambulanca, e cila ka transportuar drejt spitalit shoferin e plagosur, identiteti i të cilit nuk është bërë ende i ditur. Gjendja shëndetësore e tij mbetet e paqartë.
Policia ndodhet në vend për të kryer hetimet paraprake dhe për të menaxhuar trafikun në zonë, i cili është i ngarkuar për shkak të sezonit turistik.
Ky aksident rikthen në vëmendje shqetësimin për sigurinë rrugore, veçanërisht në segmentet ku trafiku është i dendur dhe ku shpeshherë drejtuesit e mjeteve lëvizin me shpejtësi të lartë ose me pak kujdes.
Hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit vijojnë.
