"Psikologët pjesë e sigurisë në shkolla, fokusi tek parandalimi i bullizmit"
Këtë vit të ri shkollor, mësuesit, por edhe psikologët, punonjësit socialë dhe oficerët e sigurisë do të punojnë në bazë të një udhëzimi të ri që garanton një klimë të sigurt në shkolla.
Në Planin e Sigurisë në Shkolla, roli i psikologëve në parandalimin e fenomeneve si bullizmi është një nga pikat kyçe ku vendoset theksi për vitin e ri shkollor 2025-2026.
Jona Begeja, psikologe pranë shkollë 9-vjeçare “7 Marsi” në kryeqytet, thotë për ATSH-në se çdo vit, rreth 50–60 raste paraqiten në shërbimin psiko-social pranë kësaj shkolle dhe kërkojnë ndërhyrje të vazhdueshme për problematika dhe vështirësi nga më të ndryshmet.
Sipas psikologes, për vitin shkollor 2025–2026 prioritetet kryesore janë zbatimi i udhëzimeve të reja lidhur me rregulloren e shkollës dhe funksionimin e komisionit të etikës, forcimi i punës parandaluese për bullizmin dhe braktisjen, rritja e ndërgjegjësimit tek prindërit dhe mësuesit mbi rolin e mbështetjes emocionale të fëmijëve, si dhe përfshirja më e fortë e strukturave të reja si punonjësi psiko-social dhe oficeri i sigurisë në kuadër të platformës SMIP.
“Udhëzimi i ri ka sjellë më shumë përgjegjësi mbi dokumentimin, raportimin dhe parandalimin e rasteve. Theksi nuk vihet vetëm tek trajtimi i problemeve pasi ato ndodhin, por tek ndërhyrja e hershme. Po ashtu, është forcuar roli i komisionit të etikës dhe rregullores së shkollës, duke u bërë më të detajuar dhe më të zbatueshme”, shprehet Begeja.
Heqja e celularëve në ambientet e klasës apo shkollës është një tjetër masë, por që sipas psikologes Begeja “është aplikuar edhe vitet e kaluara, përmes kutive të posaçme me çelës, ku çdo klasë dorëzon telefonat në fillim të ditës dhe i merr në fund”.
“Prindërit janë informuar nga mësuesit kujdestarë për këtë vendim. Kjo ka ndikuar pozitivisht, pasi redukton shpërqendrimin, varësinë dhe konfliktet që mund të lindin nga përdorimi i pajisjeve. Edhe pse mund të ketë reagime fillestare nga nxënësit, komunikimi i qartë dhe qëndrueshmëria në zbatim e bëjnë këtë rregull të pranueshëm”, vijon ajo.
Sipas psikologes, “një fokus i veçantë është te nxënësit me aftësi ndryshe, për të cilët hartohen plane edukative individuale, kryhen vlerësime psikologjike, zhvillohen takime të rregullta me prindërit dhe punohet ngushtë me mësuesit ndihmës. Një kategori tjetër janë nxënësit me tendencë braktisjeje ose që kanë braktisur përkohësisht shkollën. Për ta punohet në bashkëpunim me institucionet e tjera të linjës. Gjithashtu, trajtohen edhe raste të fëmijëve që përballen me dhunë në familje apo me prindër të varur nga alkooli, ku ndërhyrja kërkon shumë kujdes dhe bashkëpunim ndërinstitucional”.
Platforma SMIP është një tjetër mjet shumë i dobishëm për bashkëpunimin ndërmjet psikologut, prindërve, mësuesve, drejtuesve dhe institucioneve të tjera. Psikologia Begeja pohon se kjo platformë “ndihmon në koordinimin e rasteve, ndjekjen e procesit dhe krijimin e një panorame të plotë mbi situatën psiko-sociale të nxënësve. Futja e punonjësit psiko-social dhe oficerit të sigurisë si pjesë e SMIP e bën këtë platformë edhe më funksionale”./ATSH


