Apeli i GJKKO-së lë në burg Ilir Metën, reagon avokati i ish-Presidentit: Kjo histori nuk përfundon këtu

Ka përfunduar seanca në Gjykatën e Apelit të Posaçëm ndaj ish-Presidentit Ilir Meta, lidhur me ankimimin e bërë nga ai kundër masës së sigurisë “arrest në burg”. Gjykata ka vendosur lënien në qeli të Metës.

Meta ka kundërshtuar vendimin e Shkallës së Parë të GJKKO, e cila la në fuqi masën e arrestit me burg, me argumentin se pozita e tij është rënduar dhe ekziston rreziku për prishje të provave apo intimidim të dëshmitarëve.

Në ankimimin e dorëzuar në Apel, Meta dhe avokatët e tij e cilësojnë këtë vendim të pajustifikuar, duke argumentuar se hetimet janë tashmë të përfunduara dhe dëshmitarët kanë dhënë deklarimet e tyre.

Në seancën e sotme, Ilir Meta nuk ishte i pranishëm, por përfaqësohej vetëm nga avokati i tij, Kujtim Cakrani, i cili pas seancës tha për mediat se do të vazhdojë me kërkesën për zëvendësimin e masës.

“Është keqardhje e madhe kjo. Mos mendojë se tallen me ne. Nuk tallen me ne, kot e kanë. Me mua nuk kanë shanse për t’u tallur. Unë vij bëj procedurën, por mos kujtojnë se tallen me ne”, tha avokati i Metës, Kujtim Cakrani.

Ai hodhi akuza edhe ndaj gjyqtarëve që sipas tij nuk u ngritën në lartësinë e detyrës së tyre.

“Këta janë gjyqtarë të varur nga opinioni publik”, tha Cakrani.

“Zoti Meta nuk është thjesht një ish-presidenti. Është kryetari i Partisë së Lirisë, është numri i dytë i opozitës dhe do ketë grupin parlamentar në Kuvend. Nëse doni ta quani aty është i paraburgosur dhe normale, kjo nuk është normale”, shtoi ai.

Kujtojmë se gjyqtarja në GJKKO në seancën paraprake për çështjen penale në ngarkim të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit është caktuar Irena Gjoka. Ajo do të vendosë nëse do e kalojë çështjen për gjykim, apo do ja kthejë SPAK-ut për plotësim hetimesh.

Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë dhe e dërgoi dosjen në gjykatë për t’iu nënshtruar vlerësimit në seancë paraprake.

Po ashtu, janë dërguar për gjykim si të bashkëpandehur dhe Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit, ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku, një finacuese e LSI-së. Dosja ka të bëjë me çështjen CEZ-DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA.

Sipas SPAK, Meta akuzohet për korrupsion pasiv në tre raste, dy prej të cilave në bashkëpunim. Ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi është marrë e pandehur për korrupsion pasiv në dy raste të kryera në bashkëpunim.

Ndaj ish-bashkëshortëve rëndojnë dhe akuzat për kryere të veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Nëna e Kryemadhit dhe e pandehura Ema Çoku akuzohen për pastrim parash, ndërsa Xhixho për korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim.

SPAK sqaron se procedimi ndaj Metës dhe të pandehurve të tjerë ka nisur në vitin 2019 dhe është zgjeruar në vitet pasardhëse në bazë të kallëzimeve të ndryshme. Në vitin 2024, të gjitha procedimet e veçuara u bashkuan në një të vetëm.

Prej tetorit të vitit të kaluar, Ilir Meta ndodhet në burg, teksa ai dhe të pandehurit e tjerë i kanë kundërshtuar publikisht akuzat e ngritura si të montuara politikisht.