De Zerbi i dashuruar pas Marsejës: Është bërë për mua, e dëshirova me gjithë forcën time
Roberto De Zerbi ka shprehur hapur dashurinë dhe përkushtimin e tij për Olympique Marseille, në një intervistë të dhënë për prestigjiozen ‘L'Équipe’, ku emocionet nuk munguan.
Trajneri italian, pas largimit nga Premier League, ka gjetur veten në një ambient që e ndien si shtëpi.
“Marseja është vendi ideal për mua: qyteti, pasioni për futbollin… është bërë thjesht për mua,” tha 46-vjeçari, duke dhënë një sinjal të qartë për lidhjen e fortë që ka krijuar me klubin dhe qytetin.
Pas një sezoni të suksesshëm që riktheu OM në Champions League, De Zerbi duket se ka gjetur motivimin e duhur për të ndërtuar një projekt afatgjatë.
Ai sqaroi pse zgjodhi të linte Anglinë për të nisur këtë aventurë në Francë:
“E dëshirova me gjithë forcën time. E doja këtë klub sepse më ngjan shumë në mënyrën si e kupton futbollin. Marseille jeton për futbollin, përjeton të tepruarat, ngritjet dhe rëniet.
Ndeshja e së dielës është si një shpërblim për gjithë javën, ashtu siç është për mua.”
Duke folur për lidhjen emocionale me qytetin dhe klubin, De Zerbi shtoi:
“OM i jep kuptim Marsejës. A do të ishte e njëjta Marsejë pa këtë klub? Edhe unë, a do të isha i njëjti pa futbollin? Kjo na bashkon. Ndihem mirë këtu, kjo qytet më ngjan.”
Dhe me një buzëqeshje në fund, i përfundon fjalët me stilin që e karakterizon:
“Presioni, rezultati, stresi, jam mësuar me to dhe madje i kërkoj. Është në pushime që stresohem, jo kur punoj.”
De Zerbi, tashmë nën hijen e Velodrome, duket i gatshëm të shkruajë një kapitull të ri emocionues në karrierën e tij.
