Egjipt, betohet presidenti i ri
Kreu i Gjykatës së Lartë egjiptiane Adli Mansour u betua si kryetar i përkohshëm i shtetit disa orë pasi ushtria rrëzoi presidentin Morsi Mohammed i cili ndodhet nën arrest shtëpiak.Shefi i Ushtrisë, Gjenerali Abdel Fattah al-Sisi tha se ushtria nuk mund të rrinte më duarkryq përballë trazirave dhe protestave të dhunshme në rrugët e Egjiptit. Sipas tij kjo masë ishte e nevojshmë pasi udhëheqësi i parë i zgjedhur lirisht në Egjipt, kishte "dështuar për të përmbushur kërkesat e popullit."Ky ndryshim vjen pas disa ditëve të protestave masive kundër presidentit islamik. Protestuesit thanë se Muhamed Morsi kishte humbur legjitimitetin, pasi nuk kishte arritur të bashkonte dhe udhëhiqte në mënyrë efektive vendin.Ndërkohë sipas raporteve të mediave ndërkombëtare residenti i rrëzuar egjiptian tashmë është nën arrest shtëpiak, si dhe shumica e ekipit presidencial.Presidenti amerikan Barack Obama, në deklaratën e tij të parë publike mbi "grushtin e shtetit" ndaj Morsi-t, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë "thellësisht të shqetësuara nga vendimi i forcave të armatosura egjiptiane, për të rrëzuar presidentin Morsi dhe për të pezulluar Kushtetutën e Egjiptit. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, ka reaguar përmes një deklarate, ku bën thirrje për qetësi, shmangie të dhunës, dialog dhe përmbajtje në Egjipt.