Ushtria rrëzon Presidentin, kompetencat i kalojnë kreut të Gjykatës Kushtetuese

Mohammed Morsi nuk është më president i Egjiptit, pasi komandanti i ushtrisë, gjenerali Al-Sisi konfirmoi rrëzimin e tij nga pushteti mbrëmjen e së mërkurës, pas një grushti shteti të udhëhequr nga forcat e armatosura.

Në fjalimin televiziv të gjeneralit Al Sisi është komunikuar se Kushtetuta e Egjiptit është pezulluar dhe se kryetari i Gjykatës Kushtetuese do të marrë drejtimin e vendit deri në zgjedhjet e reja.Fjalimi i kreut të forcave të armatosura është pritur me brohoritje në sheshin Tahrir, ku janë mbledhur shumë protestues që kërkonin largimin e Mohammed Morsit, vendndodhja e të cilit për momentin nuk dihet.Ndërkohë, rrjeti informativ amerikan CNN, duke cituar burime "të sigurta" brenda Egjiptit, thotë se gjasat janë që drejtimin e ri të vendit ta marrë Mohammed el Baradei, ish-drejtor i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore.Me herët, presidenti Morsi përsëriti ofertën e tij për një qeveri konsensuale, por refuzoi tërheqjen. Ndërsa një zëdhënës i Vllazërisë Myslimane, të cilës Morsi i përket, njoftoi në Twitter se një “grusht ushtarak shteti” ishte në zhvillim e sipër në Egjipt.Mona al Qazzaz deklaroi për BBC se: “Frika ime më e madhe është t’i kthehemi një shteti ushtarak. Ushtria nuk duhet të bëhet pjesë e skenës politike”.Ndërkohë, burime të tjera nga vendi i ngjarjes njoftuan në rrjetet sociale se protestuesit rivalë kishin filluar të gjuanin me gurë njëri-tjetrin.Korrespondentët e BBC raportuan gjatë pasdites për një rritje të pranisë ushtarake në kryeqytet dhe për autoblinda që lëviznin nëpër rrugë.Teksa ultimatumi i vendosur nga ushtria kaloi afatin, brohoritje të shumta u dëgjuan në sheshin Tahrir, ku mijëra protestues ishin mbledhur.