Amerika Latine diskuton skandalin me avionin bolivian
Udhëheqësit e Amerikës Latine do të mbajnë sot një samit, për të diskutuar devijimin e aeroplanit të presidentit të Bolivisë, Evo Morales, në hapësirën ajrore të Evropës.Bolivia ka thënë se Morales ka qenë duke u kthyer nga Moska të martën, kur Franca dhe Portugalia kanë ndaluar befas aeroplanin e tij që të hyjë në hapësirat e tyre ajrore, për shkak të dyshimeve se ish-kontraktori i inteligjencës amerikane, Edward Snowden, ka qenë në bord.Bolivia ka thënë se Italia dhe Spanja kanë ndaluar po ashtu aeroplanin të fluturojë në qiejt e tyre.Udhëheqësit latino-amerikanë kanë thënë se ky është një veprim jo miqësor.Uashingtoni nuk ka pranuar të komentojë pohimet se ai ndodhet prapa skandalit.Snowden kërkohet nga drejtësia amerikane nën akuzat për spiunazh.