Liderët botërorë reagojnë për përmbysjen e Morsit
Nga OraNews Përditësimi i fundit 4 Korrik 2013, 08:38
Reagime të ndryshme ka pasuar vendimi i ushtrisë së Egjiptit për të përmbysur presidentin Mohamed Morsi.Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se është “thellësisht i shqetësuar” me veprimin e ushtrisë. Ai ka shtuar se Uashingtoni do që të shohë së shpejti krijimin e një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike në Egjipt.Obama po ashtu ka thënë se administrata e tij është duke shqyrtuar ndihmën e huaj për këtë vend.Mbreti i Arabisë Saudite, Abdullahu, ka uruar kreun e Gjykatës Kushtetuese të Egjiptit, Adli Mansour, për zgjedhjen në postin e udhëheqësit të përkohshëm të Egjiptit.Shtetet e Gjirit Arab, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë mirëpritur po ashtu lajmin për përmbysjen e Morsit.Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, ka thënë se trazirat në Egjipt janë disfatë për Islamin politik.Në ditët e fundit, Egjipti ka parë protesta masive kundër dhe në mbështetje të qeverisë së Morsit. Përleshjet midis protestuesve rivalë kanë çuar në dhjetëra të vrarë.Ushtria u ka vënë ultimatum qeverisë dhe opozitës që të arrijnë kompromis, por ato kanë dështuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.Ushtria ka marrë vendim për përmbysjen e Morsit me qëllim zgjidhjen e tensioneve politike.