VIDEO/ Bushka “helmon” hetimet ndaj Veliajt, Sula ia numëron në mbledhje: Dil jashtë urgjent! S’mund ta drejtojë Komisionin një person nën hetim nga SPAK-u
Është mbledhur Komisioni i Ligjeve, ku deputeti, Dashnor Sula mori fjalën duke shprehur se Klotilda Bushka nuk mund ta drejtojë më këtë komision.
Sula: Ky komision do të duhet të kishte pasur një qëndrim dhe nuk mund të kalojë në një gjendje kaq të heshtur. Të gjithë anëtarët e komisionit të ligjeve mazhorancë dhe opozitë së bashku të bënim një deklaratë të distancimit. Është e paimagjinueshme që kryetarja e komisionit të ligjeve të jetë personi që ka kryer veprime në kundërshtim të hapur me ligjin. Kudo mund ti ndodhë, por me një vetëdije të paparë në pengimin e hetimit të drejtësisë për kryetarin e bashkisë Erion Veliaj, kjo është e paimagjinueshme, e pafalshme.
Të kemi një prononcim për rastin e kryetares sonë. Absolutisht edhe termi që ju përdorni të gjithë rëndomë 'prezumimi i pafajësisë', nuk po flitet këtu për themelin e një hetimi apo të një vendimi gjykate që do të jetë në momentin e caktuar nga gjykata. Sot, të sulmohet drejtësia në mënyrën më të tmerrshme në këtë lloj formati dhe kush e bën.
Njerëzit me pushtet. Mos harroni, keni një koleg të opozitës që vuan sot burgun në Fier për denoncim. Njerëzit e tjerë që akuzohen për korrupsion galopant, me shifra marramendëse dhe ne dalim ti mbrojmë, kjo nuk është e moralshme.
BUSHKA RRETH 4 ORE DJE NE SPAK
Në Shqipëri, kryetarja e Komisionit parlamentar të Ligjeve, socialistja Klotilda Bushka u paraqit dje në Prokurorinë e Posaçme. Ajo është vënë nën hetim si e dyshuar për “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, në çështjen ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij Ajola Xoxa.
Sipas Prokurorisë, deputetja ka kontaktuar një prej personave të marrë në pyetje, Ina Goxhajn, duke e orientuar atë se si duhej të sillej kur të thirrej sërish nga hetuesit. Zonja Bushka, ka hedhur poshtë deklarimet e Goxhajt përpara prokurorëve, duke u shprehur se ajo e ka kontaktuar atë, duke qenë se kanë marrëdhënie farefisnore.
“Po e kam takuar vajzën në fjalë, si një person me të cilën kam punuar dikur dhe me të cilën kam lidhje gjaku, është kushërirë e imja. Ina Goxhajn e kam kushërirë”, shpjegoi ajo gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, pak ditë pas arrestimit të zotit Veliaj.
Varianti i ofruar nga zonja Bushka ishte se “e kam qetësuar, duke e këshilluar të thotë të vërtetën dhe, nëse e gjykon të nevojshme, të marrë avokat. Si juriste, i kam shpjeguar një të afërmi të drejtat e saj. Vetëm kaq. Nuk e kam penguar të thotë asgjë, as kam tentuar të fshehë ndonjë të vërtetë, sepse unë jam e para që jam e interesuar që e vërtetë të zbardhet sa më parë e të jetë e tillë në sytë e publikut”, deklaroi zonja Bushka.
Por rrëfimi i zonjës Goxhaj përpara prokurorëve rezulton të jetë tërësisht i ndryshëm. Takimi mes të dyjave rezulton të jetë bërë me nismën e zonjës Bushka, e cila ka vajtur në mjediset ku ajo punonte. "Deklaruesja shpjegon se Klotilda i ka thënë 'mos ki merak, për çfarëdolloj gjëje, do na kesh ne. Dhe të lutem mos fol me njeri në telefon'. Që të mos fliste në telefon në lidhje me ngjarjen, deklaruesja shpjegon se shtetësja Klotilda Bushka ja ka kërkuar disa herë”, lexohet në aktet e Prokurorisë.
Në shpjegimin e saj para grupit parlamentar, zonja Bushka tha se “unë nuk di ta shpjegoj, çfarë mund të ketë ndodhur në Prokurori apo çfarë trysnie mund të ketë ndjerë kushërira ime, që deklaratat tona private ajo i ka përcjellë në një kontekst tjetër”.
Por elementi më i rëndë, sipas asaj që është shkruar në dosje, është fakti se zonja Bushka rezulton t'i ketë dhënë Goxhajt, një telefon tjetër të ofruar nga bashkëshortja e zotit Veliaj, ndërsa i ka marrë telefonin që ajo ka patur në përdorim. Për këtë moment, ajo evitoi të jepte shpjegime në deklaratat e bëra në mbledhjen e grupit parlamentar, ndërsa prokurorët dyshojnë se ka qenë deputetja, ajo që e ka asgjësuar telefonin që i mori Goxhajt, në shtëpinë e prindërve të vet.
Deputetja socialiste e cila qëndroi gati 4 orë në Prokurorinë e Posaçme, u largua pa dhënë asnjë deklaratë apo koment.



