Raphinha, statistika që e bën të pakrahasueshëm edhe me sulmuesit e mëdhenj

Fjalët janë të pakta për të përshkruar sezonin e Raphinha-s, një nga pikat kryesore sulmuese të Barcelonës së Hansi Flick dhe një nga futbollistët më në formë të momentit.

Nuk është rastësi që braziliani, pas ndeshjes të së martës, është golashënuesi i dytë më i mirë në këtë Champions League me 8 gola (të gjithë nga loja e hapur), pas 9 golave të Lewandowskit, megjithëse polaku ka realizuar 3 prej tyre nga penalltia.

Pas dy lojtarëve të Barcelonës, në renditjen e golashënuesve ndodhen sulmuesi i Dortmundit, Serhou Guirassy (7 gola) – 4 prej tyre nga penalltia – lojtari i Atlético Madridit, Julián Álvarez (6 gola) dhe Vinicius (5 gola) – 1 nga penalltia.

Kundër Benficës, sulmuesi brazilian ishte vendimtar duke shënuar golin që vendosi ndeshjen me rezultatin përfundimtar 4-5. Sprinti, kundërsulmi, shmangia, goditja me të majtën, festimi dhe fitorja.

Ai shtoi dy gola të tjerë në llogarinë e tij personale në raundin e parafundit të fazës së grupeve të Champions League, kompeticioni ku Raphinha po shkëlqen më së shumti.

Nuk ka skenë që po i reziston Raphinha-s, por ish-lojtari i Leeds po shkëlqen mbi të gjitha në garën më të rëndësishme evropiane.

Raphinha po tregohet një garanci e vërtetë për Barcelonën. Kontributi i tij është më se i dukshëm nga numrat që ka grumbulluar.

Por ekziston një statistikë që tregon se Raphinha po tregohet lojtari më produktiv në Evropë dhe që nuk ka rival në këtë drejtim.

'Big data' tregon se Raphinha është futbollisti me diferencën më të lartë të xG (gola të pritshëm) nga të gjithë ata që po marrin pjesë në Champions League, Europa League dhe Conference League.

Me fjalë të tjera, Raphinha është lojtari që ka shënuar më shumë gola sesa duhet të kishte shënuar sipas vlerësimeve të xG.

Diferenca e xG është një metrikë që identifikon nëse një lojtar arrin numrin e golave që i parashikon xG-ja.

Nëse një lojtar ka shënuar 5 gola dhe xG-ja tregon se duhej të kishte shënuar 3, bazuar në numrin dhe llojin e rasteve që ka pasur gjatë sezonit, kjo do të thotë se ka shënuar dy gola më shumë se sa pritej.

Nëse bilanci është negativ, kjo tregon se performanca e tij nuk përputhet me pritshmëritë e statistikave të avancuara: për shembull, nëse një futbollist duhej të kishte shënuar 5 gola sipas xG-së dhe ka realizuar vetëm 3, diferenca e tij e xG-së është -2.

Raphinha në garat evropiane ka një diferencë xG prej 5.07 golash. Kjo ndodh sepse ai ka shënuar 8 gola, ndërkohë që statistikat e golave të pritshëm (xG) kishin parashikuar që do të shënonte "vetëm" 2.93 gola.

Në garat evropiane që janë aktualisht në zhvillim, vetëm Julián Álvarez, heroi i ri i Atletico Madridit, i afrohet me një bilanc pozitiv prej 4.47.

Por askush nuk i shfrytëzon më mirë situatat sesa sulmuesi anësor brazilian, i cili është treguar një golashënues i jashtëzakonshëm këtë sezon: ai ka shënuar më shumë gola në të gjitha kompeticionet, 22, sesa duke mbledhur ato që ka shënuar në dy sezonet e kaluara (nga 10 në secilin).