PSG ndërpret kontratën me Bernat, i hapet rrugë zyrtarizimit të sulmuesit francez tek Juvja

Marrëveshja mes Kolo Muani dhe Juventusit më në fund është gati të zyrtarizohet.

PSG po lirohet nga një prej vendeve të huazimit duke ndërprerë kontratën e Juan Bernat, i cili aktualisht është i huazuar te Villarreali dhe kontrata i përfundon në qershor, duke i hapur kështu rrugën sulmuesit francez që të transferohet në Torino deri në fund të sezonit.

Kolo Muani kishte kryer tashmë vizitat mjekësore dhe kishte filluar stërvitjet nën drejtimin e Thiago Motta.

Tani ai mund të regjistrohet zyrtarisht dhe të vihet në dispozicion të trajnerit.

Pritet vetëm zyrtarizimi në orët e ardhshme. Ish-sulmuesi i Eintracht-it mund të debutojë të shtunën në kampionat kundër Napolit dhe nuk përjashtohet mundësia që të luajë nga minuta e parë.

Një vend tjetër mund të lirohet nga Cher Ndour, i cili aktualisht është i huazuar te Besiktas.

Lojtari pëlqehet në Itali dhe Fiorentina po lëviz për ta marrë me transferim përfundimtar. Në këtë rast, PSG do ta përdorte hapësirën e liruar për të huazuar Skriniar-in te Fenerbahçe.