Vëzhguesit e KiE apel politikës: KQZ të ndahet nga politika, të garantojë votën
Dy ditë para ditës së verdiktit, ku shqiptarët do të japin votën e tyre për zgjedhjet parlamentare një tjetër apel vjen për Komisioni Qëndror të Zgjedhjeve nga ndërkombëtarët.Koordinatori Special, njëkohësisht Drejtuesi i misionit vëzhgues zgjedhor afatshkurtër OSBE-së dhe drejtuesit e delegacioneve parlamentare të OSBE-së dhe të Këshillit të Europës, të cilët do të vëzhgojnë zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit në Shqipëri, u bëjnë thirrje të gjithë liderëve politikë, të përdorin ditët e mbetura në vazhdim, për t'u angazhuar në një proces konstruktiv për të siguruar zhvillimin e papenguar të zgjedhjeve."U bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve të marrin përsipër pa vonesë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre për një proces të qetë zgjedhor. Institucionet administrative zgjedhore duhet të jenë në gjendje të funksionojnë në mënyrë të pavarur nga fushata elektorale, duke garantuar se vullneti demokratik i votuesve do të respektohet nga partitë politike dhe do të zbatohet nga autoritetet. Kundërshtimet ligjore nuk duhet të bllokojnë punën kritike të institucioneve demokratike" theksohet në një deklaratë të përbashkët të Roberto Battellit, Joao Soares dhe Luca Volonte.Në Shqipëri nga 400 vëzhgues të kërkuar nga ODIHR-i për të ndjekur zgjedhjet e së dielës, kanë mbërritur vetem rreth 300 të tillë, ndërsa misionit të monitorimit ditën e dielë do t'i bashkangjiten edhe stafet e ambasadave të vendeve të ndryshme përfshirë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Që prej ditës së djeshme misionit afatgjatë të ODIHR-it i janë bashkangjitur edhe afër 260 vëzhgues afatshkurtër të cilët do të qëndrojnë për afër një javë në Shqipëri. Një numër jo i vogël nëse merret në konsideratë fakti se ata paguhen nga vendet prej të cilave vijnë dhe për shkak të krizës ekonomike çdo shpenzim shihet me kujdes.Diferencën e mbetur nga 400 vëzhguesit e kërkuar fillimisht nga ODIHR-i, do të përpiqen ta mbushin ambasadat e vendeve të ndryshme, përfshirë edhe atë amerikane e cila ka regjistruar edhe numrin më të lartë të vëzhguesve, 68 të tillë.