“Djemtë e Vjosës”: Kur liberalizohen çmimet, liberalizohen dasmat. Por rinia po ikën dhe s’do ketë kush të martohet më

“Djemtë e Vjosës” vijojnë të ruajnë me fanatizëm traditën e muzikës e Shqipërisë së Jugut, një grup që fillesat i kanë në vitin 1999. Alket Zaimi dhe Lorenc Çuna janë dy nga artistët e parë dhe bashkë i ka lidhur fëmijëria dhe më tej dëshira dhe pasioni për të kënduar.

Arviol Kasemi është më i riu i grupit, por një djalë i talentuar dhe me eksperiencë në muzikë.

Ndër vite grupi ka pasur ndryshimet e tij, e pandryshuar ka mbetur muzika që i identifikon gjithnjë.

Alketi është ai që ka shkruar pothuajse të gjitha këngët e grupit, këngë, të cilat mbahen mend e këndohen edhe sot në ç’do festë familjare e jo vetëm.

Ndërkaq i pyetur se si ka qenë ky vit, Alketi e shoqëroi përgjigjen me një batutë: Kur liberalizohen çmimet, liberalizohen dhe dasmat.

“Përgjithësisht të gjithë kolegët tanë presin për më shumë. Ajo që shikoj është fakti se ka një prodhim shumë të madh, të gjithë janë të uritur, dhe për të ndjekur tabanin popullor. Dhe ka një risi, ku TikTok-u po nxjerr në pah pa dashje folkun shqiptar.

Po shikojmë  që shumë fshatra po nxjerrin grupet e tyre polifonike dhe po t’i vësh re nuk do të kishte një festival folklorik të organizuar as Ministria e Kulturës nuk do t’i mblidhte kaq mirë. Dhe kjo është një gjë shumë e bukur.

Duhet të ndryshojë jo vetëm politika, por duhet të ndryshojnë të gjitha gjërat, sepse po të vësh re e gjithë rinia po ikën jashtë, dhe në fund kush do të martohet? Unë nuk do të martohem më.

Ose të paktë ata të rinj që po ikin jashtë lutemi që të kthehen dhe të martohen prapë në Shqipëri”, u shpreh Alketi, që shkaktoi dhe disa momente humori mes tij dhe Kleandro Harunajt.