Hasani takon ambasadorin Gonzato, në fokus integrimi europian

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani zhvilloi sot një takim me ambasadorin e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato.

Lajmin e bëri të ditur ambasadori Gonzato, i cili informoi se temë e takimit ishte përshpejtimi i integrimit të Shqipërisë në BE.

Ambasadori Gonzato vlerësoi po ashtu rolin konstruktiv të Shqipërisë në nivel rajonal, si dhe kontributin e saj vendimtar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Takimi i parë i përzemërt me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani.

Folëm për qëllimin tonë të përbashkët për të përshpejtuar integrimin e Shqipërisë në BE.

I shpreha vlerësimin tim për mbështetjen e vazhdueshme dhe të plotë të Shqipërisë për politikën tonë të jashtme dhe të sigurisë, për rolin e saj konstruktiv në nivel rajonal, si dhe për kontributin e saj vendimtar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, u shpreh ambasadori i BE-së Silvio Gonzato.