Dosja e Sterilizimit/ Beqaj mbi 9 orë në SPAK: Të bëhet zgjerim në hetime, gjatë auditimit nuk kam qenë ministër
Ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka qëndruar për më shumë se 9 orë e 30 minuta në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Beqaj ka dhënë sqarime si person nën hetim në lidhje me dosjen për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.
Pas përfundimit të deklarimeve në SPAK, Ilir Beqaj tha:
“Që nga data 20 nëntor unë jam person nën hetim për çështjen e njohur tashmë të sterilizimit dhe e kam deklaruar edhe më parë që jam në dispozicion të drejtësisë.
Jam përgjigjur pyetjeve me interes nga hetuesit kryesisht për ato gjëra që jam pyetur edhe më parë në korrik të 2022.
Sot bashkë me avokatin tim, sugjeruam dhe kështu gjykoj në këndvështrimin tim, të bëhet një zgjerim në hetime.
Në dosje ka disa referenca të KLSH, janë audituar edhe veprimet e mia por gjatë kohës që është kryer auditimi nuk kam qenë ministër dhe nuk jam pyetur ndonjëherë nga audituesit.”
