Tensionet në Kuvend, mazhoranca miraton ndryshimin e rregullores së Parlamentit
U mblodh Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin
Në drejtimin e Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, u mblodh sot Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Këshilli shqyrtoi Projektvendimin "Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e Kuvendit, nr. 166, datë 16.12.2004 "Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar", propozim i dy deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, konkretisht; znj. Blerina Gjylameti dhe z. Toni Gogu.
Z. Toni Gogu gjatë fjalës së tij nënvizoi se ndryshimet e propozuara kanë si qëllim forcimin e masave disiplinore për të parandaluar aktet e dhunës në parlament pasi prej më shumë se dy muajsh deputetët e opozitës kanë penguar zhvillimin normal të veprimtarisë parlamentare duke cënuar rregullin e zhvillimit të seancave plenare dhe të komisioneve parlamentare.
Pas diskutimeve, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektvendimin në fjalë, me ndryshimet e propozuara gjatë mbledhjes.
